Të nderuar miq, shoqëri, bashkëluftëtarë dhe gjithë ju që keni kontribuar që ne sot të gëzojmë lirinë dhe të drejtat tona. Ditëve të fundit po qarkullon një projekt filmik i cili sipas asaj që kemi parë poshtëron luftën e pastër dhe të dinjitetshme të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe gjithë pjesëmarësve të saj, në mesin e të cilëve jam dhe unë. Si një pjesëmarës i luftërave për liri dhe barazi mendoj se është shumë poshtëruese që institucionet shtetërore dhe gjithë ato që kanë pasur gisht në këtë drejtim të lejojnë që një projekt filmik i këtij karakteri dhe me këtë tematikë ofenduese të financohet nga paratë dhe taksat e qytetarëve tanë e në anën tjetër i njejti projekt të nxisë urrejtje mes qytetarëve të vendit.
Edhe unë si gjithë të tjerët, pres që në mënyrë urgjente nga nesër të prononcohen organet kompetente përmes reagimit dhe tërheqjes së këtij projekti filmik e njëkohësisht edhe distancim nga përmbajtja e tij. Ndërsa pres që për këto lëshime që janë bërë dikush të bartë edhe përgjegjësi morale dhe penale që edhe në të ardhmen mos poshtërohet në asnjë mënyrë dinjiteti i UÇK-së.