Fluks automjetesh drejt bregdetit shqiptar, policia arreston 12 shoferë

Fluksi i lartë i automjeteve që i drejtohen bregdetit ka bërë që Policia e Shteti të intensifikojë kontrollet.

Marketing

Gjatë 24 orëve të fundit autoritetet bëjnë me dije se kanë arrestuar 12 drejtues mjetesh, kanë pezulluar 58 leje drejtimi dhe kanë gjobitur 1679 të tjerë për shkelje të rregullave të qarkullimit.

“Gjatë 24 orëve të fundit në akset nacionale duke filluar nga rruga e Kombit e deri në Sarandë e Korçë, pavarësisht fluksit të lartë të automjeteve në qarkullim, janë konstatuar shumë drejtues mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë gati dyfishin mbi normën e lejuar, apo kanë kryer parakalime dhe manovra të rrezikshme në rrugë duke u kthyer në burim potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

Nga patrullat e Policisë Rrugore janë arrestuar në flagrancë 12 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë pezulluar 58 Leje drejtimi, nga të cilat 37 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 21 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1679 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Policia Rrugore, nisur nga fakti se në akset rrugore përgjatë gjithë ditës së sotme ka pasur dhe vijon të ketë fluks të lartë të automjeteve që qarkullojnë në të dyja kahet e lëvizjes dhe tashmë fluksi më i madh është në kthim nga zonat bregdetare, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse”, njofton policia./