Fluks i madh i bashkatdhetarëve te Dheu i Bardhë

Kolona në hyrje të pikës pikës kufitare Dheu i Bardhë e cila mundëson hyrjen në territorin e Kosovës, raportohet të jetë deri në 100 metra

Marketing

Pika kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, Dheu i Bardhë vazhdon të jetë e ngarkuar nga fluksi i madh i bashkatdhetarëve që po kalojnë përmes kësaj pike kufitare, e cila ua mundëson hyrjen në territorin e Kosovës.

Kështu bëhet e ditur në të dhënat e publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Pritjet për në hyrje zgjasin 10 deri në 20 minuta ndërkaq në dalje prej 5 deri në 10 minuta.

Kolona në hyrje të kësaj pike raportohet të jetë nga 80 deri në 100 metra.

Të martën mbrëma, në pikën kufitare në Merdar, nga ana e Serbisë u vendosën barrikada duke ua pamundësuar bashkatdhetarëve ardhjen në Kosovë nga kjo pikë.

Megjithatë, ata shfrytëzuan rrugën alternative siç është ajo e pikës kufitare te Dheu i Bardhë, e cila orët e fundit u raportua si më e ngarkuara.

Policia e Kosovës ka njoftuar se bllokimi rrugës është bërë afërsisht në kilometrin e dytë në territorin e Serbisë, nga pika kufitare “Merdar”, e cila për shkak të kësaj bllokade, është mbyllur për qarkullim.

“Një bllokim i tillë i kundërligjshëm ka pamundësuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, andaj ftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare ‘Jarinjë’, ‘Bernjak’ dhe ‘Merdare’, deri në njoftimin e radhës”, thuhet në komunikatën për media nga policia.

Marketing