Fondacioni FOCIC reagon kundër regjistrimit të Bashkësisë Islame Selefiste “Dar el-Hadith”

Regjistrimi i Bashkësisë Islame Selefiste “Dar el-Hadith” nga një gjykatë e Maqedonisë së Veriut, përpos kundërshtimit të Bashkësisë Fetare Islame (BFI), ka shkaktuar reagime edhe të shoqërisë civile.

Marketing

Fondacioni “Qendra e Civilizimit Islam” (FOCIC) përmes një reagimi e ka vlerësuar këtë akt si “përçarës, të shëmtuar dhe të dëmshëm për identitetin dhe historinë e Islamit në këto troje”.

Në reagimin e Fondacionit FOCIC thuhet se BFI ka qenë ombrella në të cilën e ka gjetur veten secili besimtar musliman i kësaj hapësire, duke shtuar se hija e saj ka qenë e mjaftueshme dhe e vetme për ta përfshirë secilin që është identifikuar me fenë islame.

“Ky institucion, pavarësisht kush e ka drejtuar, ka qenë dhe mbetet metafora e unitetit të synuar për rrethanat tona. Prandaj, themelimi i bashkësive islame paralele, që do t’i bëjnë rivalitet BFI-së së Maqedonisë së Veriut, është vetëm përçarje, një ‘Mesxhidu Dirar’, madje më shumë se kaq, themelimi i një bashkësie tjetër me atributin “islame” është një plan ogurzi i qarqeve antimuslimane, të njohura me agjendat e tyre për përçarjen e komunitetit mysliman dhe copëzimin e tij deri në fragmentim, që do ta bëjë të parëndësishëm zërin e saj në hapësirën tonë.”, thuhet në reagim.

Nga FOCIC gjithashtu rikujtojnë se në Maqedoninë e Veriut nuk është regjistruar asnjë “kishë ortodokse maqedonase tjetër” përpos Kishës Ortodokse Maqedonase, duke kërkuar çregjistrimin e Bashkësisë Islame Selefiste “Dar el-Hadith”.

“Përmes kësaj shkrese, të shtyrë vetëm nga përgjegjësia islame dhe intelektuale, ne kërkojmë nga institucionet e shtetit që ta çregjistrojnë atë bashkësi fetare dhe të mos lejojnë që të themelohet asnjë organizatë me emrin “bashkësia islame”. Po ashtu i drejtohemi edhe përfaqësuesit dhe mbështetësve të saj që të heqin dorë nga këto plane përçarëse dhe të mos bëhen mashë për përçarjen e besimtarëve myslimanë”, theksojnë nga FOCIC.

Gjithashtu, në reagim thuhet se në të kundërtën, grupi do të kujtohet si përhapës të fitnes dhe përçarjes, “ndërsa historia e muslimanëve të nënqiellit tonë do t’i gjykojë gjithnjë si tradhtarë të ummetit”.

Kujtojmë se Gjykata Themelore Shkupi 2 e Maqedonisë së Veriut regjistroi Bashkësinë Islame Selefiste “Dar el-Hadith”, ndërsa BFI këtë e konsideroi si tentim për paralelizëm institucionit kushtetutar të BFI-së, si dhe ka ndërmarrë procedurat e nevojshme juridike, duke dorëzuar edhe ankesë deri tek Gjyqi i Apelit për shfuqizimin e regjistrimit.