Bujqit e Pollogut janë më pak shfrytëzues të programit IPARD në krahasim me bujqit dhe fermerët e Pellagonisë, Vardarit, Juglindor, Verilindor dhe atij Jugperëndimor, të cilët janë përfituesit më të mëdhenj të këtyre fondeve. Shkaqet kryesore për nivelin kaq të ulët të shfrytëzimit të fondeve bujqësore evropiane në Tetovë dhe Gostivar janë mos informimi, si dhe druajtja e bujqve të kësaj ane se sa me të vërtetë do të realizohen deri në fund marrëveshjet e nënshkruara. Në lidhje me këtë, dje në hotelin “Mercure” në Tetovë nga ana e Ministrisë së Bujqësisë – Sektori për menaxhimin e Fondeve IPARD, u organizua një punëtori me temë “Shfrytëzimi i mjeteve nga Instrumenti i Bashkimit Evropian për Asistencë Paraaderimit, për zhvillim rural IPARD 2014-2020” ku kanë marrë pjesë përfaqësues të komunitetit të biznesit, përfaqësues të fermerëve, bujqve, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal, të cilët në detaje janë informuar për masat që përfshihen në programin IPARD 2014- 2020. “Do të doja të theksoj se me masën për asistencë teknike, ku shfrytëzues është edhe Ministria, për herë të parë shfrytëzohen mjete të Bashkimit Evropian për promocione dhe publicitet të programit IPARD, me ndihmën e të cilave mjete organizohet edhe punëtoria e sotme ku do të prezantohen mundësitë që i ofron programi IPARD, me theks të veçantë për masën e publikuar me numër 3 – përpunim dhe marketing i prodhimeve bujqësore, shpallje kjo që do të jetë publike deri në fund të muajit janar, gjegjësisht deri më 29 janar.
Përveç kësaj, aktuale është edhe masa me numër 1 për prodhimet bujqësore prioritare, ku afati për paraqitje për masën me numër 1 do të zgjasë deri më 9 shkurt 2019 “, tha Zhivko Brajkovski nga Sektori për menaxhimin e Fondeve IPARD. Nikolçe Bobovski, drejtor i Agjencisë për mbështetje financiare për bujqësi dhe zhvillim rural, tha se shfrytëzimi i programit IPARD është i rëndësishëm për modernizimin e fermave bujqësore, përmirësimin e promovimit të prodhimit të vet bujqve, mundësinë e prodhimit të produkteve të reja, pajisjen me teknologji më të reja në bujqësi, si dhe për përforcimin e zinxhirit të prodhimtarisë , blerjen dhe distribuimin e prodhimeve bujqësore. “Shfrytëzimi i mjeteve të programit IPARD për Maqedoninë do të sigurojë arritje para së gjithash të standardeve të Bashkimit Evropian, të cilat kanë të bëjnë me ushqimin e sigurt dhe mjaft cilësor, shëndetin publik, mbrojtje të ambientit jetësor, mbrojtje gjatë punës, si dhe mbojtje të bimëve dhe kafshëve”, tha Bobovski. Nga Agjencia për Përkrahje Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apelojnë tek të gjithë fermerët që kanë nevojë të avancojnë veprimtarinë bujqësore, të aplikojnë që të fitojnë mjetet e IPARD. Ndryshe, viteve të kaluara, sipas hulumtimit të Federatës së Fermerëve të Maqedonisë të titulluar
“Si deri tek shfrytëzimi më i suksesshëm i IPARD”, planet e papërgatitura të detajuara urbanistike të komunave, procedurat e papërfunduara të trashëgimisë, qasja e pamjaftueshme ndaj kapitalit fillestar, dokumentacioni voluminoz për aplikim, periudha e gjatë dhe e paqartë prej dorëzimit të projekteve deri tek miratimi i tyre, ishin pengesat kryesore që kanë pamundësuar fermerët në Maqedoni të shfrytëzojnë më shumë të hollat e fondeve evropiane bujqësore IPARD.(koha.mk)