Fondi “Shqiponja Thërret”, mblidhen para për Xhakën e Shaqirin

Futbollistët kosovarë që luajnë në ekipin e Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë dënuar sot nga FIFA për gjestin e tyre me shqiponjë kur festuan golat e shënuara në ndeshjen kundër Serbisë në Kampionatin Botëror.

Marketing

Xhaka dhe Shaqiri janë ndëshkuar financiarisht, me nga 10 mijë franga zvicerane. Kapiteni i Zvicrës, Stephan Litchsteiner është dënuar po ashtu, me pesë mijë franga.
Por duket se ata nuk do t’i paguajnë vetë këto para.

Kjo pasi tashmë ka nisur kampanja për mbledhjen e fondeve në mënyrë që t’iu paguhet dënimi, njofton Klan Kosova.
Kampanja është hapur në platformën e mbledhjes së fondeve në mënyrë vullnetare, “Gofundme”.

“Ata sollën gëzim dhe lumturi për të gjithë zviceranët dhe shqiptarët gjithandej globit, prandaj ndajeni një moment dhe mbështetni ata”, thuhet në përshkrimin e kampanjës.
Aty thuhet po ashtu se nëse Federata e Futbollit e Zvicrës nuk i pranon këto para, paratë e grumbulluara do të dhurohen për bamirësi.

Duket se kampanja shpejt është përhapur në rrjete sociale dhe tashmë kanë nisur donacionet e para ku edhe janë mbledhur mbi 1000 euro deri tani.
Mes atyre që dhuruan para për fondin që synon ta paguajë dënimin e Xhakës, Shaqirit dhe Litchsteiner, është edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku që ka dhuruar 100 dollarë.

Marketing