Formula 1, Verstappen fiton mes kaosit në Brazil

Max Verstappen arriti një fitore sa frenetike dhe të paharrueshme në “Sao Paulo Grand Prix” që u transmetua në Euronews Albania. Holandezi që u nis nga vendi i 17 arriti të parën fitore nga muaji Qershor në mes të kushteve të paqëndrueshme klimatike, i ndjekur nga binomi i Alpine në podium.

Marketing

Kaosi i nisur përpara garës vazhdoi me daljen e Lance Stroll nga pista në xhiron e formatimit çka u shoqërua me konfuzionin e braktisjes së startit pas nisjes së gabuar nga Lando Norris shoqëruar nga disa makina të tjera. Kjo do të thotë se ai, George Russell, Yuki Tsunoda dhe Liam Lawson do të jenë pjesë e hetimit në përfundim të garës për shkeljen e procedurave të nisjes së garës.

Me fillimin e “Grand Prix”, Russell mori kreun në dëm të Norris ndërsa Verstappen nisi rrugën e kthimit në zonën e pikëve duke rekuperuar menjëherë 10 pozicione në xhiron e parë. Ndërkohë që gara vazhdonte me reshjet e herëpashershme në xhiron e 33, ajo u pezullua për shkak të flamurit të kuq si pasojë e përplasjes së Franco Colapinto-s duke ndëshkuar në këtë mënyrë Russell dhe Norris që kishin hyrë në bokse në përfundim të “Virtual Safety Car”.

Kjo i dha mundësi Esteban Ocon të merrte kreun i ndjekur nga Max Verstappen dhe Pierre Gasly kur kishte kaluar diçka më shumë se gjysma e garës. Por një tjetër rifillim i saj pas incidentit të Carlos Sainz i dha mundësi Verstappen të merrte kreun që dukej i paprekshëm në orën 16:30. Nga ky moment deri në fund, Kampioni i Botës në fuqi mori një avantazh prej 19”477.

Një ditë ëndërrash për Alpine pasi Ocon dhe Gasly rezistuan deri në fund duke u renditur në vendet 2 dhe 3 për një ngjitje të skuadrës nga vendi i 9 në të 6 në klasifikimin e konstruktorëve. Russell e mbylli garën në vendin e 4-t për Mercedes përpara Ferrari-t të Charles Leclerc i ndjekur nga një Norris i zhgënjyer që humbet terren ndaj Verstappen.

Oscar Piastri e mbylli garën në vendin e 7 por penaliteti prej 10 sekondave për incidentin me Lawson e zbriti australianin në vendin e 8 dhe ngjit Tsunoda-n në të 7. Duke bërë që RB të festojë për të dy makinat në zonën e pikëve pas Lawson që u rendit i 9 përpara Lewis Hamilton në vendin e 10.

Sainz dhe Colapinto u tërhoqën pas incidenteve ndërsa Nico Hulkenberg u dënua me flamurin e zi për shkak se piloti i Haas mori asistencën e marshallëve për tu rikthyer në pistë. Stroll nuk u rinis pas daljes nga pista ndërsa Alex Albon nuk ishte në gjëndje as të nisej pasi Williams nuk pati kohën e nevojshme për të riparuar makinën e dëmtuar në Provart Zyrtare.

Marketing