Liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, konfirmuan se duan të forcojnë bashkëpunimin dypalësh, veçmas me Malin e Zi. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, po merr pjesë për herë të parë në takimet e Davosit si kryeministër i vendit. Ai po ashtu ka zhvilluar edhe takime të ndara me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor. Në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ky i fundit e ftoi kryeministrin e Malit të Zi që t’i bashkohet takimit të nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”, që do të mbahet në Ohër.
“Edhe një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar çështje dypalëshe me Dritan Abazoviqin gjatë Forumit Ekonomik Botëror, por edhe për ta ftuar edhe një herë që të bashkohet me ne në takimin e nismës së “Ballkanit të Hapur” në Ohër.”, tha Vuçiq përmes një postimi në Instagram.
Abazoviç tha se shteti i tij është duke bërë përpjekje për të promovuar një politikë të bashkëpunimit rajonal, pajtimit, bashkëjetesës dhe kohezionit më të mirë ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
“Marrëdhëniet me Serbinë janë prioritet – jemi të gatshëm për bashkëpunim intensiv në të gjitha fushat me interes të përbashkët.”,- shkroi Abazoviq në llogarinë e tij në Tuitter.
Abazoviç është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, për të diskutuar për potencialet ekonomike dhe mundësitë për thellimin e marrëdhënieve mes vendeve.
Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve , nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale. Megjithatë, kryeministri i ri, Dritan Abazoviç e mbështet konceptin e kësaj nisme. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin këtë iniciativë.