Foshnja që vdiq nga sepsa, Mexhiti: Pres raportin e inspektoratit

Inspektorati Sanitar Shëndetësor do të bëjë inspektim të jashtëzakonshëm në spitalin e Prilepit pas vdekjes së foshnjës së sapolindur dhjetë ditësh, që ndërroi jetë nga sepsa në Spitalin Klinik të Fëmijëve në Shkup. Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, thotë se nuk do të lejojë që të mos dënohen përgjegjësit e këtij rasti tragjik.

Marketing

“Sot iniciova Inspektoratin Sanitar të ketë menjëherë kontrolle në Prilep, gjithashtu edhe një komision prej ekspertëve do të shkojë atje. Nuk do të flasim përmendësh, kur do të vijnë raportet komplet prej këtyre inspektimeve dhe komisionit të ekspertëve, atëherë do të shpërndajmë në mënyrë transparente mediumeve.”, – deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Mexhiti zotohet se do të angazhohet për zbardhjen e çdo rasti të dyshimtë në spitalet e vendit. Nuk heq dorë as nga skandali në Onkologji.

“Sërish thërras Prokurorinë që të dalin me emra dhe mbiemra. Nuk do të lejojmë të njolloset më manteli i bardhë.”, thotë Mexhiti.

Nuk pajtohet me komunikatën e Prokurorisë, në të cilën kërkohet që rasti të mos shfrytëzohet për qëllime politike.

“Unë nuk jam politikan, unë jam mjek dhe para se gjithash jam njeri dhe jam ministër i Shëndetësisë, prandaj do të kërkoj llogari nga të gjitha institucionet.”, deklaroi prerazi Mexhiti.