Franca ashpërson qëndrimin për datën e negociatave me BE-në

Analistët politikë në Maqedoninë e Veriut, vlerësojnë se problemet në administratën shtetërore, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me korrupsionin si dhe reformat që kanë të bëjnë me sundimin e drejtësisë, nuk duhet neglizhuar, sepse këto segmente mund të paraqesin pengesa për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkim Evropian.

Marketing

Këto komente vijnë pas qëndrimit të prerë të diplomatëve të huaj të akredituar në Maqedoninë e Veriut se caktimi i datës për fillimin e bisedimeve në tetor do të varet edhe nga procedimi i rezultateve për çlirimin e administratës nga politika dhe sundimi i drejtësisë.

Ambasadori i Francës në Shkup, Christian Thimonier, të hënën në një konferencë ku është diskutuar reformimi i administratës shtetërore, ka theksuar se Maqedonia e Veriut duhet të punojë me përkushtim në realizmin e reformave thelbësore dhe sa më shpejtë të përballet me korrupsionin që sipas ambasadorit francez është mëse i dukshëm në administratë.

Ndërkohë Ambasadori i Holandës në Shkup, William Plomp, të martën tha se sundimi i ligjit dhe në veçanti llogaridhënia janë çështje shumë të rëndësishme për shtetin të cilin e përfaqëson, kur është në pyetje integrimi i Maqedonisë së Veriut si shtet në Bashkimin Evropian.

Denko Malevski, ish diplomat, i cili aktualisht është këshilltar për marrëdhënie ndërkombëtare në kabinetin e presidentit të shtetit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se deklarata e ambasadorit francez ka për qëllim të kthjellojë autoritetet shtetërore në vend rreth qëndrimit të Francës si një nga shtetet kryesore të Bashkimit Evropian se pa përmbushjen e detyrimeve, përkatësisht rezultateve në administratë, luftën kundër korrupsionit dhe jetësimit në praktikë të ligjeve që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, Maqedonia e Veriut nuk mund të shpresojë në caktimin e datës për fillimin e bisedimeve në tetor, transmeton Koha.mk

“Shpresat tek popullata nuk duhet të ngriten aq lartë nga ana e zyrtarëve të vendit që pas kësaj qytetarët bllokadën eventuale ta përjetojnë shumë vështirë. Porosia e ambasadorit ishte shumë e qartë se autoritetet përgjegjëse duhet të përkushtohen në eliminimin e defekteve në demokracinë tonë dhe më pas të presim caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE”.

“Kjo porosi duket paksa më e ashpër sepse vjen nga një shtet që mban qëndrim më rigoroz sa i përket zgjerimit të BE-së kundrejt shteteve të tjera anëtarë”, thotë Malevski.
Por, Blerta Ahmedi Arifi, ligjëruese në Fakultetin Juridik në kuadër të Universitetit të Evropës juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë, thotë se Brukseli tani më nuk do ta sheh Maqedoninë e Veriut përmes gishtërinjve ashtu siç ka vepruar më parë në raport me përmbushjen e detyrimeve saktë të definuar si vërejtje edhe në raportin e Komisionit Evropian

“Unë vlerësoj se Republika e Maqedonisë së Veriut sa më afër është drejtë aderimit në Bashkimin Evropian, aq më të drejtpërdrejtë do të jenë dhe sugjerimet, por edhe kritikat lidhur me evitimin e fenomeneve degraduese në shoqërinë tonë, siç është çështja e korrupsionit, krimit të organizuar”.

“Në Maqedoninë e Veriut të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se pa plotësimin e standardeve nuk ka anëtarësim dhe status të barabartë të vendit me shtetet e tjera anëtare të familjes evropiane”.

“Deklarata të drejtpërdrejta në të ardhmen do të kemi edhe nga përfaqësuesit që drejtojnë Bashkimin Evropian dhe jo vetëm nga ambasadorët e akredituar në vendin tonë, dhe këto porosi duhet pranuar në kontekstin pozitiv”, thotë Blerta Ahmedi Arifi.