Franca këshillon qytetarët dhe kompanitë e saj të largohen nga Pakistani

Franca u kërkoi shtetasve dhe kompanive të saj që “përkohësisht” të largohen nga Pakistani, pas protestave të dhunshme kundër Francës në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasada e Francës në Islamabad, përmes postës elektronike, këshilloi shtetasit dhe kompanitë e saj të largohen përkohësisht nga vendi për shkak të kërcënimeve serioze ndaj interesave të Francës në Pakistan.

“Po, ne kemi këshilluar qytetarët dhe kompanitë tona të largohen nga vendi për momentin pas protestave në mbarë vendin”, konfirmoi për AA një zyrtar i ambasadës i cili kërkoi të mbetet anonim.

Marketing

“Tehreek-e-Labbaik” Pakistan, një parti fetare e ekstremit të djathtë, organizoi protesta të dhunshme në qytetet e mëdha të Pakistanit në fillim të kësaj jave, duke çuar që qeveria të mërkurën ta ndalojë atë sipas ligjit të antiterrorizmit.

Forcat e sigurisë kanë arrestuar drejtuesin e partisë Saad Rizvi, si dhe qindra mbështetës nga pjesë të ndryshme të vendit.

Të paktën katër persona, përfshirë dy policë, u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në përleshjet e dhunshme treditore.

Partia fetare kërkoi dëbimin e ambasadorit francez lidhur me karikaturat e Profetit Muhamed të publikuara në Francë vitin e kaluar.

Reagimet e Francës ndaj vrasjes tetorin e kaluar të një mësuesi që tregoi karikaturat e profetit në klasë shkaktuan protesta në disa vende muslimane.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, atë kohë pati deklaruar se vendi “nuk do të hiqte dorë nga karikaturat tona”, ndërsa akuzoi muslimanët francezë për “separatizëm” dhe përshkroi Islamin si “një fe në krizë”.



. .