Franca nuk pranon që SHBA të jetë e privilegjuar me vaksinën ndaj Kovid-19

Ministrja franceze, Agnes Pannier-Runacher ka thënë se për Francën do të ishte e papranueshme që gjiganti francez i ilaçeve, Sanofi t’i japë prioritet tregut të Shteteve të Bashkuara nëse zhvillon vaksinën kundër sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Marketing

Ministrja i bëri këto komente pasi shefi i kompanisë Sanofi, Paul Hudson, deklaroi se “qeveria amerikane ka të drejtë për të bërë porosinë më të madhe, sepse ka investuar në marrjen e rrezikut”.

“Për ne, do të ishte e papranueshme që të ketë qasje të privilegjuara për ndonjë shtet, për arsye financiare”, ka thënë Pannier-Runacher për radion franceze, Sud.

Më herët gjatë këtij muaji, Bashkimi Evropian ka mbajtur një samit online, për të shtyrë përpara kërkimet rreth vaksinës dhe trajtimit të koronavirusit. Ndaj dhe janë ndarë rreth 8 miliardë dollarë nga 40 shtete dhe donatorë të ndryshëm.

Sakaq, Bashkimi Evropian ka insistuar të enjten se të gjitha shtetet duhet të kenë qasje të barabartë në vaksinë.

“Vaksina kundër koronavirusit duhet të jetë e mirë publike globale dhe qasja në të duhet të jetë e barabartë dhe universale”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Stefan de Keersmaecke.