Francë-Gjermani bashkojnë forcat kundër trafikut të armëve në Ballkan

Miliona armë të lehta që qarkullojnë në Ballkan “përfaqësojnë një kërcënim madhor për sigurinë europiane”, deklaroi ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, i cili sqaroi se për këtë arsye, Parisi dhe Berlini kanë vendosur të bashkojnë forcat kundër trafikut të armëve në rajon.

Marketing

“Këto armë janë një kërcënim për sigurinë europiane. Situata është e papranueshme. Europoli vlerëson se janë rreth 3 deri në 6 milionë armë zjarri, që qarkullojnë aktualisht në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një shifër gjigante”, tha Jean-Yves Le Drian, ministër i Jashtëm.

Këto armë, sipas tij përdoren gjerësisht prej rrjeteve kriminale e atyre terroriste. Nismën e përshëndeti edhe shefi i diplomacisë gjermane, Heiko Maas.

“Është një nismë e mirë, të cilën Franca dhe Gjermania po e ndërmarrin së bashku, sepse lidhet me sigurinë tonë dhe sigurinë e Europës. Është koha që të përballemi realisht me çështjen e sigurisë publike në Europë”, tha Heiko Mass, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Dy ministrat u takuan në kuadrin e një nisme franko-gjermane për koordinimin e luftës kundër trafikimit të armëve në Ballkanin Perëndimor, të nisur në vitin 2017 e me disa objektiva të përcaktuar deri në vitin 2024.
Franca është angazhuar të kontribuojë finaciarisht për pajisjet dhe logjistikën e identifikimit të armëve në fjalë, e do të krijojë gjithashtu një zyrë bashkëpunimi për këtë qëllim në Ambasadën e saj në Beograd.

Marketing