Freskuese nëpër qelitë në Idrizovë

Freskuese për të përballuar temperaturat e larta në burgun e Idrizovës. Kështu të burgosurit në këtë shtëpi ndëshkuese-korrektuese po e kalojnë verën, ndërsa një të burgosur që TV21 arriti ta kontaktojë, pohon se disave nga vapa u është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Marketing

“Me temperaturat e larta ia bëjmë kush si të mundet. Ka freskuese por janë të paktë ata që kanë. Kemi probleme edhe me ujin. Ka persona të cilëve u përkeqësohet shëndeti për shkak të temperaturave të larta. Ka pasur raste kur është thirrur ndihma e shpejtë por ata vonohen shumë”, tha një i burgosur për Tv21.

Drejtori i burgut të Idrizovës Bobi Mojsoski thotë se përveç që u kanë lejuar mbajtjen e freskuesve, personeli mjekësor vazhdimisht është në gatishmëri për të burgosurit.
“Thuajse në të gjitha hapësirat ka freskuese të cilat u janë lejuar t’i sjellin nga shtëpia. Po ashtu është rritur koha e shëtitjes. Një numër i të burgosurve janë me sëmundje kronike, ndërsa lirisht mund të them se Shtëpia e Shëndetit Shkup angazhohet maksimalisht që të burgosurit të marrin trajtimin e duhur mjekësor”, tha drejtori i burgut, Bobi Mojsoski.

Në repartet gjysmë të hapura sipas Mojsoskit të burgosurve gjithashtu u lejohet të bëjnë dush kur të duan. Megjithatë të burgosur në Idrizovë për TV21 pohojnë se kanë probleme edhe me ujin. Rreth 1200 persona vuajnë dënimin në shtëpinë ndëshkuese-korrektuese idrizovë.