Lufta në Ukrainë tashmë do të hyjë në vitin e tretë, ndërsa me ndryshimin e administratës në SHBA janë shtuar presionet për zgjidhjen e saj dhe arritjen e paqes.
Gjersa, raportimet nga Moska janë që Putin do ta shpallë fitoren e tij në Ukrainë më 24 shkurt 2025, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është duke humbur aleatët në rrethin e brendshëm të presidentit Donald Trump.
Sipas raportimit të Neë York Post, mbështetja e Shtëpisë së Bardhë për Zelenskyn është zvogëluar ndjeshëm.
Tensionet midis Trump dhe Zelensky janë përshkallëzuar javët e fundit, me presidentin amerikan që kritikoi vendimin e Ukrainës për të shtyrë zgjedhjet dhe e quajti Zelenskyn një “diktator”. Udhëheqësi ukrainas, nga ana tjetër, akuzoi Trumpin se jeton në një “hapësirë dezinformimi” ruse dhe shprehu shqetësime për anashkalimin në negociatat e paqes SHBA-Rusi.
Gazetarja nga Ukraina, Iryna Synelnyk, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se bota është çmendur plotësisht dhe janë duke dëgjuar deklarata se Ukraina filloi këtë luftë, gjë që nuk është e vërtetë.
“Më 24 shkurt do të shënojmë përvjetorin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës në shkallë të gjerë. Por lufta ruse në vendin tim ka vazhduar që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe filloi luftën në rajonin e Donbasit. Propaganda ruse tha më parë dhe edhe tani ata vazhdojnë të përhapin një mit se po mbrojnë ukrainasit, veçanërisht njerëzit rusishtfolës dhe po diskutojnë territorin tonë. E vërteta është ndryshe – ata po vrasin jo vetëm ushtarakë, por edhe civilë, ata duan të shkatërrojnë Ukrainën plotësisht.
Është e qartë se Rusia është agresori.
Por bota është çmendur plotësisht dhe tani kemi dëgjuar deklaratën se Ukraina filloi këtë luftë. është e tmerrshme”, deklaron Synelnyk.
Sipas saj, nuk imagjinohet që një luftë e madhe është e mundur në shekullin XXI dhe SHBA të ndërtojë ura miqësie me Rusinë.
“Por pyes veten nëse gazetarët në vende të ndryshme shkruajnë të vërtetën për luftën në Ukrainë dhe kush është një diktator i vërtetë. New York Post publikoi artikullin ‘Z. Presidenti: Putini është diktatori dhe 10 të vërtetat e luftës Ukrainë-Rusi që ne i injorojmë për rrezikun tonë. Media ukrainase The Kyiv Independent shpalli një shpjegues “Kush e filloi luftën në Ukrainë?”. Ai përmban vetëm një fjalë. Rusia.
Nuk mund ta imagjinoj që një luftë e madhe është e mundur në shekullin XXI dhe nuk mund ta imagjinoj që SHBA-ja që dikur kujdesej për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në mbarë botën të ketë filluar të ndërtojë ura miqësie me Rusinë.
Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër. Si gazetarë duhet të punojmë dhe ta bëjmë punën tonë me cilësi”, shprehet gazetarja ukrainase.
E pyetur rreth deklaratave të Trump kundrejt Zelenskyt, ku e ka quajtur edhe “diktator”, gazetarja thotë se Ukraina tani po mbron paqen, qetësinë dhe stabilitetin në vendet evropiane.
Sipas saj, të gjithë ukrainasit dhe presidenti I tyre duan paqe për vendin tonë, por jo me kushtet ruse.
“Unë e kuptoj se çdo vend ka interesat e veta dhe përpiqem t’i mbrojë ato. Deklaratat e Trump ishin shumë emocionale dhe madje fyese për ukrainasit.
Si pasardhës të kozakëve liridashës ne zgjodhëm presidentin tonë dhe jemi të sigurt se vetëm ne mund ta kritikojmë atë.
Nuk e di arsyen e vërtetë pse Presidenti Trump tha atë që tha, por e kuptoj që Ukraina tani po mbron paqen, qetësinë dhe stabilitetin në vendet evropiane.
Ish-sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha se nëse Rusia tërheq trupat e saj nga Ukraina, lufta do të përfundojë. Jam dakord me ta.
Të gjithë ukrainasit dhe presidenti ynë duan paqe për vendin tonë, por jo me kushtet ruse”, thekson Synelnyk.
Ajo demeton presidentin amerikan për mbështetjen e qytetarëve ukrainasë ndaj Zelenskyt, gjersa përmend sondazhet.
“Presidenti amerikan tha për nivelin e ulët të mbështetjes për Zelenskyy në Ukrainë. Kjo nuk është e vërtetë. Sipas sondazheve të fundit sociologjike, niveli i besimit dhe mbështetjes për Presidentin Zelensky është mbi 50%. Unë besoj se ai është lideri legjitim i Ukrainës. Nuk mund ta imagjinoj se si është e mundur të organizohen zgjedhjet gjatë luftës. Para së gjithash, kam parasysh sfidat e rrezikshme. Më duket se Rusia po përpiqet të destabilizojë situatën e brendshme në vendin tonë.
Unë kam një sfond historik. Dhe unë do të thoja se kjo është një kohë e rrezikshme jo vetëm për Ukrainën, por për të gjitha vendet evropiane. Rusia është një armik tinëzar dhe dinak. Për ukrainasit është e qartë se ata nuk do të ndalen pasi të kenë marrë Ukrainën”, shprehet gazetarja.
Se sa do të merret zgjidhje korrekte nga SHBA për luftën në Ukrainë, gazetarja thotë se nuk e dinë saktësisht, por mbështetja e tyre ka rol vendimtar.
“Është një pyetje e vështirë për mua. Nuk e di saktësisht, por e di që mbështetja e SHBA-së ka një rol vendimtar për ushtrinë ukrainase. Nuk mund të bëj një parashikim, por i kuptoj rezultatet nëse SHBA e lë Ukrainën vetëm me Rusinë.
Situata e zakonshme në Ukrainë ishte në fillim të shekullit XX. Aty pretendohej Republika Popullore e Ukrainës. Në fillim u mbështet nga qeveria gjermane, por pas 4 vitesh Rusia e shtypi luftën nacionalçlirimtare dhe e quajti këtë periudhë luftë civile.
Kam menduar shpesh për këtë kur filloi një luftë e madhe në Ukrainë. Kam frikë nga këto ngjarje.
Sepse dekadat e ardhshme të historisë së Ukrainës ishin të përgjakshme dhe mizore. Krimi më i madh sovjetik kundër Ukrainës ishte Holodomori në 1932-1933, kur miliona ukrainas vdiqën si pasojë e urisë artificiale.
Në këto rrethana, secili ka një zgjedhje, profesionale dhe personale, njerëzore.
Kemi vetëm bardh e zi, pa nuanca. Kohët e fundit kam lexuar se Ukraina është një udhëkryq moral për botën.
Frika ime më e madhe është se historia mund të përsëritet në Ukrainë. Ne kemi pësuar humbje të mëdha në këtë luftë, por me Rusinë do të kemi humbje edhe më të mëdha”, përfundon gazetarja.