FRONTEX në kufirin shqiptar/ Nga nesër patrullime në kufi me Greqinë

Ardhjen e oficerëve të FRONTEX për të bashkë-patrulluar kufirin me forcat shqiptare kryeministri Edi Rama e vlerësoi si një kontribut të Shqipërisë për sigurinë europiane.

Marketing

Ndërsa për emigrimin e jashtëligjshëm të shqiptarëve drejt BE, kryeministri foli me gjuhën e shifrave të Brukselit.

“Emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve vijon që të bjerë në mënyrë të ndjeshme dhe bazuar në raportin e 2018 të KE-së, në 2018 e kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme për në BE 27% më pak shqiptarë se një vit më parë, ndërsa kërkesat për azil janë ulur me 32% në gjysmën e parë të 2018 krahasuar me 2017. Falë bashkëpunimit të disa vendeve partnere që u përballën me këtë problem faktikisht emigrimi është minimizuar në shifra të papërfillshme”, tha Rama.

Të qënurit e Shqipërisë vendi i parë në rajon që nis këtë bashkëpunim me FRONTEX, Komisioneri i BE-së për Migrim dhe Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos e konsideroi si një gur kilometrik dhe hap historik.

“Ky bashkëpunim është një burim krenarie si për Shqipërinë dhe BE-në dhe një hap i rëndësishëm që na bashkon. Shqipëria mbetet përgjegjëse për ruajtjen e kufirit të saj, asnjë pikë dyshimi për sa i përket sovranitetit. Jam i lumtur që jam këtu për dy arsye, së pari shoh rezultatet dhe së dyti kam dashur gjithmonë ta shikoj Shqipërinë që të bëhet anëtare e familjes europiane” , tha Dimitris Avramopoulos .

Top-Channel e pyeti komisionerin Avramopoulos sa realiste janë shqetësimet e parlamentit të Holandës për t’i rikthyer Shqipërisë regjimin e vizave.

“Ne nuk bëjmë komente për atë që vendoset në nivelin e vendeve anëtare, por për derisa thelbi kryesor ka të bëjë me mekanizimin për pezullimin e vizave, që ka interes të madh për ju, më lejoni t’u them se Komisioni nuk ka marrë asnjë njoftim që kërkon pezullimin e vizave. Nëse mund të ndodhë në të ardhmen, më besoni se do të bëjmë një analizë të kujdesshme nëse një veprim i tillë do të duhet të merret apo jo në përputhje me procedurat dhe informacionin që ka të bëjë me rrethanat specifike”, tha Avramopoulos.

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga progres raporti Komisionit Europian, sipas komisionerin Avramopoulos Shqipëria është në rrugë të mbarë.

“Nga ana e BE-së ne e kemi dhënë këtë rekomandim në 2018 për çeljen e negociatave dhe i qëndrojmë atij. Siç e dini në fund të fundit është këshilli ai që e merr vendimin për çeljen e negociatave. Që prej qershorit të shkuar Shqipëria ka bërë progres në lidhje me reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe kanabisit dhe kjo duhet pranuar, duhet njohur. Por ky progres duhet të jetë i qëndrueshëm. Punë duhet për të ndalur numrin e aplikimeve të pabaza për azil, dhe unë shoh angazhimin e autoriteteve shqiptare për ta arritur këtë” ,tha ai.

Marketing