Fronti Europian: Opozita shqiptare të mos pengojë qëllimisht aktivitetet parazgjedhore dhe të respekton parimet demokratike

Në emër të Shtabit zgjedhor të Frontit Europian dhe të mbështetësve tanë, dëshirojmë të shprehim zhgënjimin dhe shqetësimin tonë për vendimin e papritur të opozitës për të shpallur mbajtjen e tubimit të tyre në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën vend ku ne kemi marrë konfirmimin policor dhe kemi shpallur prej më shumë se një javë të mbajmë tubimin tonë përmbyllës në Sheshin e Tetovës më 6 maj.

Marketing

Ky veprim i opozitës, i cili u bë publik vetëm sot, nuk është vetëm një shkelje e qartë e parimeve të mirëkuptimit dhe koordinimit që duhet të mbizotërojnë në aktivitetet politike, por gjithashtu paraqet një provokim të panevojshëm që mund të rrezikojë sigurinë dhe qetësinë publike.

Ne kërkojmë që opozita të rishikojë vendimin e tyre dhe të zgjedhë një datë tjetër për aktivitetin e tyre, në mënyrë që të dyja palët të mund të shprehin lirshëm dhe pa pengesa qëndrimet dhe programet e tyre.

Ne jemi të përkushtuar për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në tubimin tonë, dhe bëjmë thirrje për një zgjidhje të qetë dhe të përgjegjshme që respekton të drejtat dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve.

Ftojmë të gjithë qytetarët dhe mbështetësit tanë të ruajnë qetësinë dhe të veprojnë me dinjitet, duke u përmbajtur nga çdo formë provokimi.

Është thelbësore që të gjithë aktorët politikë të tregojnë matësi dhe të punojnë së bashku për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të drejtë dhe paqësor.

Marketing