Fronti opozitar shqiptar: Artan Grubi dhe BDI po i fusin kazinot në shtëpitë tona!

Biznesi i kazinove do të hyjë në shtëpitë tona.
Biznesi i kazinove do të hyjë në shkollat tona.
Biznesi i kazinove do të hyjë në objektet tona fetare.

Marketing

Shteti do të krijojë tre kompani të reja të kazinove.

Duam që ta informojmë opinionin e gjërë se më 11 shtator, dhjetë ditë më parë, shteti shpalli vendimin dhe thirrjen publike për themelimin e tre kompanive të reja të kazinove.

Nuk ka asnjë shpallje për spitale të reja, shkolla, kopshte, salla sportive…
Ka shpallje për ngritjen e tre rrjeteve të reja të kazinove nën ombrellën e shtetit.

Vendimi është miratuar nga Qeveria, i nënshkruar nga Artan Grubi, njeriu që qëndron pas çdo kazinoje në vend.

Këto kompani të kazinove, të cilat do të jenë kryesisht shtetërore, do të mundësojnë lojërat e fatit në internet, në telefonat, tabletët dhe kompjuterët tuaj të shtëpisë.

Bixhozi do të hyjë në shtëpitë tona.
Nëse deri tash duheshte të shkohet në një kazino, pas këtyre vendimeve të Artan Grubit dhe Qeverisë, kazinoja do të vijë në shtëpinë tuaj, vetëm me disa klikime në internet.

Deri tani vidhnin përmes taksave dhe faturave. Duhej të bënin tendera, të negocionin privatisht, të krijonin biznese në emër të dikujt tjetër, të fshiheshin. Të bëhem cinik, ata mundoheshin dhe lodheshin për të vjedhur dhe për t’u pasuruar.

Tashmë ata po marrin dhe vjedhin paratë tuaja, nga shtëpia, direkt nga ju.

Në planin e tyre, ju vetë duhet t’i çoni paratë në kazinotë që ata kontrollojnë dhe fëmijët tuaj nga shtëpia, nga shkolla, përmes internetit do të paguajnë drejtpërdrejt në llogaritë e tyre të biznesit.

Ne nga opozita e bashkuar shqiptare e kundërshtojmë fuqishëm këtë përhapje të infeksionit me kazino deri tani në çdo rrugë, tanimë edhe në internet.
Ne do t’ju informojmë dhe do ta luftojmë këtë dukuri.

Pas këtyre vendimeve dhe bizneseve qëndron BDI, qëndron Artan Grubi.

Pothuajse nuk ka kompani kazinoje në këtë vend që të mos ketë njerëz nga rrethi më i ngushtë i Artan Grubit. Gjithçka do të dihet, ka kohë për gjithçka.

Klientelistët në BDI të drejtuar nga Artan Grubi janë të fiksuar pas ëndrrës së tyre për t’u bërë oligarkë, por jo me punë të ndershme por me grabitje nga shteti, tani edhe me grabitje direkt nga paratë e qytetarëve.

Ata përdorin librin të cilin ua kanë shkruar mësuesit e tyre Mijalkov dhe Gruevski.

Qeveria po rrezikon të gjithë fëmijët tanë me këtë vendim.

Çdo prind do të frikësohet se varësia nga bixhozi këtë here do të hyjë brenda në shtëpi përmes telefonave, tabletave dhe kompjuterëve të fëmijëve tanë sepse ata kalojnë kohën më të madhe në internet.

Sikur të mos mjaftonte që kazino ka në çdo cep, sikur të mos mjaftojë që jenë pranë kopshteve, shkollave, universiteteve dhe objekteve fetare, tashmë është shembur edhe barriera e fundit ku çdo familje mund të bëhet viktimë përmes lojërave të fatit në internet.

Nuk po hapet asnjë fabrikë për njerëzit tanë. Spitale dhe shkolla nuk po ndërtohen.Nuk ka stadiume dhe kënde lojërash për fëmijët tanë. Por ka kazino.

BDI duhet të shikojë përreth.
A nuk e shihni se në zonën industriale në Ilinden po ndërtohen fabrika dhe në Vizbeg në rrugën për në Kosovë po ndërtohen kazino falë BDI-së.

A ka kufi lakmia për para?

Përgjegjësia për shtimin e pasojave të këtij devijimi shoqëror jashtëzakonisht negativ ka emër dhe mbiemër, Artan Grubi.

Nuk është rastësi që të moshuarit thonë se nëse do të mallkosh për të shkatërruar të ardhmen e një populli, atëherë bëji të varur nga bixhozi.

Sa martesa, sa familje duhet të prishen dhe sa gra e fëmijë duhet të bëhen viktima të dhunës familjare, që kjo çmenduri të marrë fund?

Ne si Opozitë e Bashkuar Shqiptare e bëjmë të qartë se duhet të ketë përgjegjësi për këtë.

Nuk do të lejojmë shkatërrimin e rinisë.
Lojërat e fatit duhet të mbahen nën kontroll të rreptë dhe larg shtëpive tona.
Përndryshe nuk do të kemi të ardhme!

Alternativa
Lëvizja Besa
Lëvizja Demokratike

Marketing