FRUTHI NË RRITJE. Vaksinimi, i vetmi parandalim

Numri i pacientëve të prekur nga fruthi në Maqedoni po rritet. “Gjatë vitit 2018, numri më i lartë i rasteve të raportuara të fruthit janë nga territori i Dibrës, 20 pacientë ishin rezident në Qendrën për Shëndet Publik, në Shkup, dy raste nga Ohri dhe Kumanova, dhe vetëm një rast nga Tetova dhe Struga, shkruan gazeta KOHA. Sipas shpërndarjes gjinore, 28 persona janë meshkuj, 23 janë femra. Sipas shpërndarjes të grup moshave, numrin më të madh të rasteve, ose 47.1 për qind, i përkasin grup moshës mbi 30 vjeç, 34 për qind e pacientëve janë fëmijë të moshës deri në katër vjeç”, thonë nga Qendra e Shëndetit Publik në Shkup dhe shtojnë se 75.5 për qind e rasteve ishin të pa vaksinuar, vaksinime të pa kompletuara apo status të panjohur vaksinimi.

Marketing

Edhe nga Qendra Evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, informojnë se numri i pacientëve të fruthit në Evropë po rritet, shumica e pacientëve janë në Greqi, Francë, Itali, Rumania dhe Britani të Madhe, ku ata përbënin 85 për qind të të gjitha rasteve. Nga fruthi, 33 vetë vdiqën këtë vit. Edhe nga kjo qendër apelojnë për vaksinim të rregullt.

Nga Qendra e Shëndetit Publik, për gazetën KOHA thonë se janë vazhdimisht në terren, për të marrë masat e nevojshme në përputhje me programin për eliminimin e fruthit dhe rubeolës në Maqedoni. Ndërkohë që nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë marrë masa për ndryshim të ligjit, për vaksinimin e fëmijëve dhe identifikimi i vaksinimit para se të futen fëmijët në procesin arsimor parashkollor.
Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë, por edhe Instituti i Shëndetit publik kanë apeluar që të bëhet vaksinimi. Sipas autoriteteve shëndetësore fëmijët të infektuar nga fruthi nuk janë vaksinuar dhe kanë lindur në vitin 2016, kur mbulimi i vaksinimi ishte rreth 65 për qind, dhe ai duhet të jetë mbi 95 për qind që të konsiderohet se ka një mbrojtje më të mirë kolektive.

Instituti për Shëndet Publik thotë se në Shkup do të kontrollohen rreth 100,000 karta vaksinimi, ku edhe pritet që të gjenden 5,000 deri në 10,000 fëmijë të pavaksinuar. Sipas tyre, të gjithë fëmijët nga mosha një vjeçare deri në moshën 14 vjeç që nuk kanë dëshmi se kanë marrë këtë vaksinë duhet të vaksinohen dhe do të marrin ftesa.

Kurse nga Klinika infektive, në Shkup thonë se tashmë është formuar grupi i punës që do të kontrollojë rreth 100 mijë fëmijë për kartonët e vaksinimit, në të gjithë vendin dhe për të bërë apel për të gjithë ata që nuk janë vaksinuar.

“Presim të gjejmë 10 deri në 15% fëmijë të pa vaksinuar. Vitin e kaluar janë vaksinuar 78 % të fëmijëve”, thotë doktor Vladimir Mikiq nga klinika infektive. Ai shton se një i sëmurë nga fruthi mund të sëmur deri në 18 persona të tjerë, prandaj po merren këto masa.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, kjo gjendje epidemike është për shkak të fushatave negative kundër vaksinimit, veçanërisht vaksinimi kundër epidemisë së fruthit. Ai poashtu thotë se është i shqetësuar se ky është shpërthimi i tretë, për këtë vit, dhe kjo është një shenjë serioze të humbjes së imunitetit te fëmijët ndaj kësaj sëmundje.

Vaksinimi i fëmijëve është i detyrueshëm, por prindërit vendosin që të mos vaksinojnë dhe kështu rrezikojnë fëmijët. Epidemiologët gjithashtu paralajmërojnë se fruthi është një sëmundje që mund të shkaktojë komplikime serioze dhe se vaksinimi është e vetmja mbrojtje. (koha.mk)