Fruthi preku edhe fëmijët e Kosovës, por nuk ka gjendje alarmante

Pasi në Maqedoninë e veriut është shpallur epidemi nga fruthi në të gjithë territorin e shtetit e ku më të prekurit janë zakonisht fëmijët fruthi po ashtu ka prekur edhe fëmijët e Kosovës.

Marketing

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2019, në Kosovë janë shënuar tetë raste të reja me fruth. Gjashtë raste janë trajtuar në Infektivën e QKUK’së si dhe dy raste të tjera në spitalin e Gjilanit. Këto janë të dhënat që drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani i ka dhënë për Express. Ai thotë se Kosova këtë vit nuk është e rrezikuar nga ndonjë epidemi e fruthit.
Në Kosovë, gjendja sipas infektologëve është krejt ndryshe nga ajo në Maqedoni. Në gjithë vendin, në bazë të të dhënave të Klinikës Infektive, në tre muajt e parë të këtij viti janë shfaqur vetëm 8 raste.
E ndërkohë gjatë vitit të kaluar Kosova u përballë me situatë të ndjeshme sa i përket fruthit.

Mbi 2 mijë kosovarë u prekën duke bërë që dy persona, një fëmijë dhe një djalë 37-vjeçar të vdesin.

“Në qershor të vitit 20017 dhe në vitin 2018, gjendja me epideminë e fruthit ka qenë e rëndë. Në klinikën tonë ka pasur shumë raste që i kemi trajtuar. Dy persona nga 2 mijë e më shumë kanë përfunduar me vdekje. Një fëmijë si dhe një person tjetër rreth 37-vjecar nga Lipjani kishte ndërruar jetë”, ka treguar drejtori i Klinikës së Infektivës.

Kujtojmë se në Kosovë ekziston ligji që i obligon prindërit t’i vaksinojnë fëmijët e tyre deri në moshën 18 vjeçare. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Kosova tashmë ka arritur shkallën mbi 95 për qind të vaksinimit.

Fruthi është një sëmundje virale infektive që nganjëherë mund të çojë në komplikime të rënda shëndetësore, përfshirë infeksionet në mushkëri dhe tru. Sëmundja thuhet se mund të parandalohet krejtësisht nëse merren vaksinat e duhura në kohë.

Marketing