Fshatra të tërë pa shërbime shëndetësore

Banorët e zonave të thella malore vazhdojnë të përballen me mungesë të mjekëve. Edhe në ato vendbanime ku janë ndërtuar ambulanta, të njëjtat nuk funksionojnë për shkak të mungesës së personelit mjekësor. Disa nga mjekët që kanë punuar në viset rurale, tashmë kanë braktisur këto ambulanta dhe shumë banorë të këtyre zonave nuk kanë mjek apo shërbime primare shëndetësore, që është e garantuar edhe me kushtetutë, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Disa nga fshatrat e Malësisë së Tetovës, përfshirë edhe Jazhincën, nuk kanë mjek, dhe shërbimet mjekësore i marrin në qytet apo vendbanime më të afërta. Gjendjen e këtillë e ka konfirmuar edhe vetë ministri Venko Filipçe, duke nënvizuar se janë duke u shqyrtuar disa modalitete që edhe këta banorë të kenë shërbime shëndetësore.

Kemi masa konkrete që tashmë implementohen. Konkretisht, gjatë vitit të kaluar, e lëshuam në përdorim ambulantën në fshatin Urviç, kurse tashmë jemi duke punuar që një ekip mjekësor të punojë në më shumë ambulanta shëndetësore, pra një ekip mjekësor të mbulojë më shumë vendbanime, në këtë rast të mbulohet edhe fshati Novosellë dhe Jellovjan. Në plan është që në tërë shtetin të fillojë implementimi i sistemit të patronazhit mobil. Filluam në komunat Resnjë, Koçan dhe Manastir, pra këto ekipe mobile nga spitalet dhe shtëpitë e shëndetit do të mund të kryejnë kontrolle dhe të shërbejnë edhe në ato vende ku nuk ka mjek dhe motra medicinale, dhe shpresoj se kjo do ta përmirësojë shërbimin shëndetësor për të gjithë pacientët, sidomos ata që udhëtojnë nga vende të largëta deri në qytet”, thotë Filipçe. Sipas drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti, duhet një evaluim i tërësishëm i sistemit shëndetësor me qëllim që të gjithë qytetarët të kenë shërbime shëndetësore primare. Ai konfirmon gjendjen e këtillë në këto vendbanime, duke shtuar se ka fshatra edhe në Dibër që nuk kanë shërbime primare shëndetësore.

“Shërbimet primare janë të zhvilluara në tërë shtetin, në përjashtim të zonave malore, si që janë zonat malore nga Kumanova, të Malësisë së Shkupit, të Malësisë së Sharrit, kemi një rast të veçantë, ku pika kufitare në Jazhincë nuk ka mjek. Dua të theksoj se edhe në disa fshatra të Dibrës mungon shërbimi primar mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe shteti duhet të bëjë evalium të sistemit shëndetësor, dhe ne kur flasim për të drejtat universale të shëndetësisë, këtë të drejtë duhet ta ketë çdo qytetar. Prandaj shteti duhet të bëjë vlerësim dhe të mos ketë asnjë individ pa shërbimet mjekësore, sidomos atë primar”, thotë Memeti. Mungesa e kuadrit mjekësor në zonat e thella malore dhe ato rurale, pritet që të diskutohet edhe në Odën e Mjekëve për të ofruar zgjidhje rreth këtij problemi.

Sipas informacioneve jozyrtare, mjekët që mbulojnë këto vendbanime, kohëve të fundit nuk ofrojnë shërbime mjekësore për këta banorë, kurse njëkohësisht nga fondi refundojnë mjete në emër të këtyre pacientëve. (koha.mk)