FSK transformohet në ushtri, miratohet ligji në Kuvendin e Kosovës

Në Kuvendin e Kosovës kanë kaluar në shqyrtim të parë të tre Projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, njofton Klan Kosova.

Marketing

Deputetët e pozitës dhe opozitës janë bërë bashkë për transformimin e FSK-së në ushtri.

Para pak çastesh projektligjit të parë që transformon FSK-në në ushtri ka marrë 101 vota nga deputetët e Kuvendit, nga 102 sa ishin prezentë.

Përmes këtyre projektligjeve, synohet që FSK të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa ndryshuar emrin e saj.

Deputetët e Listës Serbe janë larguar nga seanca e sotme, atëherë kur nisi shqyrtimi i tre projektligjeve për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri.

Igor Simiq nga Lista Serbe deklaroi se këto ligje janë në kundërshtim me Rezolutën 1244 , NATO-n si dhe Kushtetutën e Kosovës, njofton Klan Kosova.

Historiku i transformimit: Nga UÇK në TMK e FSK

Me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë në në vitin 1999 nisi edhe transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës duke përfunduar kështu në vitin 2000.

Më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TMK-së, dhe krijimi i një force të re.

Shpërbërja e Trupave Mbrojtëse të Kosovës është bërë me pajtimin e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe të huaj.

Më 21 janar të vitit 2009 u krijua Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.

Deri më tani, misioni i FSK-së ishte që të kryej operacionet e reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj; operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës; si dhe t’i ndihmoj autoriteteve civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.

Më 4 mars të 2014-ës Qeveria asokohe e drejtuar nga Hashim Thaçi pati marrë vendim që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovë, si ushtri të Kosovës.

Marketing