Fundi i mandatit të Mogherinit, afat për marrëveshjen Kosovë – Serbi?

Teksa bisedimet po hyjnë në fazën e fundit, po diskutohet edhe sa do të zgjasin. Presidenti Thaçi para takimit të fundit në Bruksel tha se marsi i vitit të ardhshëm mund të jetë koha kur do të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi. Pas kësaj reagoi pala serbe kundër afatizimit. Ndërkohë, Bekim Çollaku, shef i stafit të Presidentit, ka thënë të mërkurën për Gazetën Express se periudha optimale për fundin e bisedimeve është 6 – 8 muaj, që ndërlidhet edhe me përfundimin e mandatit të institucioneve aktuale të BE-së, përfshirë edhe të Mogherinit.

Marketing

Përveç beneficioneve të larta, me pagë mbi 20 mijë euro në muaj, Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, të cilës i njihen disa merita për negocimin e marrëveshjes nukleare me Iranin, mund të marrë kredit edhe për marrëveshjen Kosovë – Serbi.

Natyrisht, gjithçka varet nëse diplomates italiane, jo edhe me aq përvojë, do t’i shkojë për dore t’i bindë palët që të nënshkruajnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një negociatore tjetër e BE-së që ka mbajtur postin e Përfaqësues së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Baronesha Ashton, kishte arritur një sukses të kufizuar. Ashton kishte ndërmjetësuar 10 raunde takimesh ndërmjet Thaçit e Daçiqit, si kryeministra të dy vendeve, ndërkohë që raunde të pafundme negociatash ishin zhvilluar në nivel më të ulët.

Pavarësisht se në praktikë marrëdhëniet Kosovë – Serbi kanë mbetur në nivel armiqësie, Ashton, Thaçi dhe Daçiq ishin nominuar për Çmimin Nobel nga Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian.

Por, historia nuk është ndalur këtu.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje Kosovë – Serbi i vazhdoi Federica Mogherini, diplomatja italiane e cila para dy javësh bashkë me Thaçin dhe Vuçiqin ka nisur fazën e fundit të bisedimeve.

Vetë Përfaqësuesja e Lartë në janar të këtij viti ka thënë se një marrëveshje Prishtinë-Beograd, e cila sipas të gjitha gjasave, si epilog do të ketë normalizimin e raporteve, pa njohje të Kosovës nga Serbia, është e mundur deri në fund të mandatit të institucioneve aktuale të BE-së, më 2019.

Presidenti Thaçi para nisjes së takimit të fundit në Bruksel tha se marsi i vitit të ardhshëm mund të jetë koha kur do të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi. Pas kësaj reagoi pala serbe kundër afatizimit.

Ndërkohë, Bekim Çollaku, shef i stafit të Presidentit ka thënë për Gazetën Express se periudha optimale për fundin e bisedimeve është 6 – 8 muaj. Ai, po ashtu, e ka ndërlidhur këtë me përfundimin e mandatit të institucioneve aktuale të BE-së, përfshirë edhe të Mogherinit.

“Tanimë, mund të konsiderohet sekret publik fakti që të gjitha palët e përfshira në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, konsiderojnë se dritarja optimale kohore për arritjen e marrëveshjes eventuale përfundimtare ndërmjet dy shteteve, është periudha kohore 6 deri në 8 muaj”, ka thënë Çollaku.

“Sigurisht se periudha në dispozicion ndërlidhet me shumë faktorë, mirëpo thelbësor konsiderohet ai që ndërlidhet me përfundimin e mandatit të institucioneve aktuale të BE-së dhe zgjedhjeve të reja që do të mbahen në maj 2019”, ka shtuar Çollaku.

Këshilltari kryesor i Thaçit në përgjigjet për Gazetën Express thekson se Mogherini është shumë e interesuar ta rrisë dinamikën e takimeve.

“Edhe akterët e tjerë ndërkombëtarë mendojnë se ky është momentumi më i mirë i mundshëm për të nxitur palët për të arritur marrëveshje. Për më tepër, është logjike që të bëhet edhe një përpjekje e madhe për të arritur një marrëveshje përfundimtare sepse asnjë nga palët e përfshira në këto negociata, nuk ka mundësi që jetë pjesë e një procesi të tillë në pafundësi”, thotë ai.

Tashmë dihet se në këtë proces janë të përfshirë edhe palë tjera përveç BE-së, si kancelarja gjermane Angela Merkel me përpjekje personale, administrata e SHBA-së, ndërkohë që tema Kosovë – Serbi mendohet se mund të jetë edhe në agjendën Trump-Putin, më 16 korrik në Helsinki.

Hashim Thaçi, në anën tjetër, po përpiqet me mjaft siklet të sigurojë mbështetjen e partive që të bëhen pjesë e negociatave në një ekip uniteti, të ngjashëm me atë të krijuar për bisedimet në Vjenë, në vitin 2005 nga Ibrahim Rugova.

Por, ai i dëmtoi mjaft këto përpjekje kur pas kthimit nga Brukseli me deklarata të pamatura tha se në këtë përballje me Serbinë procesi nuk ka vija të kuqe.

Marketing