Funksionarët e “Frontit Evropian” sa ishin në pushtet mbështetën shfuqizimin e Balancuesit

Fronti Evropian (FE) prej ditësh me radhë po tregohet i shqetësuar për shfuqizimin e balancuesit, apo instrumentit që ka rregulluar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në administratë. Megjithatë, derisa ishin në pushtet, funksionarët e saj jepnin pajtimin për miratimin e Strategjisë për Reforma në Administratë 2020-2030, e cila mes të tjerave parashikonte shfuqizimin e balancuesit. Ditën që u miratua vendimi nga Gjykata Kushtetuese, Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së, në shoqërimin e disa funksionarëve tha se shfuqizimi i balancuesit ishte goditje e rëndë për Marrëveshjen e Ohrit. Në krahun e djathtë të tij qëndronte Kreshnik Bekteshi, ish ministër i Ekonomisë, i cili në një status në Facebook me gabime të theksuara drejtshkrimore, kritikonte gjithashtu ashpër shfuqizimin e balancuesit.

Marketing

“Unë jam shqiptar, siç janë edhe 30% të qytetarëve në këtë shtet! Nuk ekziston gjykatë e Qeveri që këtë të drejtë me na shfuqizu”, shkruan në FB, Kreshnik Bekteshi.

Por, derisa ka qenë ministër i Ekonomisë, (zoom fytyrën nga konferenca) Bekteshi kishte pranuar që balancuesi të shfuqizohej.

Siç mund të shihet, Bekteshi ka firmosur dokumentin ku thuhet se ministria që udhëheq ai, nuk ka vërejte dhe jep mendim pozitiv ndaj strategjisë.
Në suaza dramatike ishte dhe reagimi i Bujar Osmanit, i cili vlerësonte në video se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese rrënohet Marrëveshja e Ohrit.

“Pasojat e këtij vendimi janë dramatike dhe tragjike. Rrënohet Marrëveshja e Ohrit, sot bie balanceri, nesër do të bie badenteri”, deklaroi Bujar Osmani, BDI.

Por, derisa kishte qenë ministër i Punëve të Jashtme, edhe Osmani e kishte kaluar nëpër duar Strategjinë në fjalë, për të dhënë rekomandime.

Në këtë rast, Osmani nuk ka rekomanduar që të hiqet pika e shfuqizimit të balancuesit, por madje, gjithashtu ka firmosur se nuk ka vërejtje. Ashtu si dy kolegët e parë, ka vepruar edhe ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Siç mund të shihet, ka dhënë një sërë rekomandimesh, por nuk ka vërejtje për shfuqizimin e balancuesit. Në linjë me ministrat e BDI-së, ka qenë edhe partneri Aleanca për Shqiptarët. Krenar Lloga, në Facebook shkruan se ekziston rreziku real i çekuilibrimit institucional dhe prishjes së balancës etnike të pakicave.

Por, nga pozita e tij e ministrit të Drejtësisë, Lloga kishte firmosur dokumentin që i jepte dritë jeshile për Strategjinë që shfuqizonte balancuesin.

Siç mund të shihet, në asnjë prej rekomandimeve të Llogës, nuk figuron çështja e balancuesit. Lloga vazhdon të theksojë në reagimet e tij të vazhdueshme shkeljet e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që është i fundit që mund të bëjë vlerësime të tilla, pasi mbi të gjitha, njohjen më të madhe të tij në këtë detyrë e kishte me ndryshimet e Kodit Penal, që mundësuan shpëtimin e shumë zyrtarëve nga burgu, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /Alsat.mk

Marketing