Për shumë vizitorë të apasionuar pas Nju Jorkut, “Times Square” është një detyrim për t’u parë. Por, për një shtetas britanik, pikërisht atje ndodhi ajo që nuk pritej gjatë propozimit të tij romantik për martesë, për shkak se unaza ra përmes skarës së hekurt.
Megjithatë, asgjë për t’u shqetësuar! Falë fuqisë së internetit në ditët e sotme, edhe kjo ngjarje përfundoi me një fund të lumtur. John Drennan ra në gjunjë për t’i kërkuar të dashurës së tij 10 vite më të re, Daniella Anthony, të martohej me të në sheshin kryesor të Nju Jorkut. E ajo tha po!
Por, unaza ishte e përmasave të gabuara. “U përpoqa t’i thoja Johnit se unaza ishte shumë e madhe, por ai këmbënguli që unë ta vija në gisht”, tha Anthony për BBC-në. E ndërsa çifti ecte përmes “Times Square”-it, unaza e diamondtë papritur ra nga gishti i saj.
“Ishim duke u kthyer mbrapsht në hotel. E shihja ende unazën teksa përplasej një herë, dy herë e më pas u zhduk”, tha Drennan. Pikërisht nga këtu nis fuqia e internetit.
Çifti njoftoi policinë, që hapi skarën e hekurt dhe nisi kërkimet për orë të tëra…pa fat! Drennan dhe Anthony u detyruan të ktheheshin në shtëpi dhe planifikuan të blinin një unazë të re.
Ndërkohë, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut e gjeti më në fund unazën, e duke qenë se çifti ishte larguar, nisi një fushatë në rrjetet sociale gjatë së shtunës për ta gjetur atë, duke publikuar fotot e tyre dhe të unazës. Vetëm një ditë më pas, misteri u zgjidh.
“Çifti tashmë i lumtur ndodhet në vendlindjen e tij, por falë rrjeteve sociale ata u informuan për faktin se ne ishim duke i kërkuar. Tashmë jemi duke bërë përgatitjet e fundit që t’ua dërgojmë mbrapsht unazën. Urime!”, shkruante policia njujorkeze në “Twitter”.
Ndërsa Anthony u shpreh se, pavarësisht se nuk e përdorte “Twitter”-in dhe nuk ishte në dijeni të asaj çfarë ndodhi, më në fund është e lumtur që arriti të kishte unazën e propozimit për martesë.