Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë në një deklaratë për mediat pas fillimit të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit ka bërë me dije se do të mbështesë dhe do të monitorojnë fushatën elektorale në vendin tonë.
“Sezoni i fushatës zgjedhore në Shqipëri nisi zyrtarisht dje për të ecur drejt zgjedhjeve kombëtare të 25 prillit. Shtetet e Bashkuara mirëpresin fillimin zyrtar të fushatës dhe së bashku me autoritetet vendore ndërkombëtarët, do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbështetur zgjedhjet deri në përfundimin e tyre me sukses”, shkruan ambasada.
Më tej në deklaratë ambasada amerikane iu bën thirrje liderëve politikë që kandidatët e tyre të respektojnë të gjitha ligjet elektorale dhe standardet ndërkombëtare.
“Ne u bëjmë thirrje të gjithë partive, udhëheqësve dhe votuesve që të përfshihen plotësisht dhe me përgjegjësi në ushtrimin e të drejtave dhe përgjegjësive të tyre. Nxisim partitë të paraqesin ide dhe kandidatë që pasqyrojnë respekt për votuesit. Presim nga udhëheqësit që të shfaqin udhëheqësi, përfshirë edhe duke u siguruar që partitë dhe kandidatët e tyre sillen në përputhje me ligjet elektorale dhe standardet ndërkombëtare, duke refuzuar qartë dhunën dhe duke treguar se ata me të vërtetë do të ishin të denjë për të udhëhequr dhe përfaqësuar Shqipërinë”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, ambasada thekson se do të bëjë përgjegjës kryetarët e partive në çdo rast të nxitjes së dhunës apo trazirave gjatë procesit elektoral si dhe do të merren masa në përgjigje të atyre që pranojnë ose nxisin dhunën.
“Ne përsërisim se do t’i mbajmë udhëheqësit përgjegjës. Në këtë drejtim, është tërësisht e kuptueshme se ata që aktualisht janë në poste drejtuese kanë përgjegjësinë e parë dhe më të rëndë për të vepruar në interesat e vendit. Ne do të marrim masat e duhura në përgjigje të atyre që pranojnë ose nxisin dhunën, pranojnë ose nxisin shkeljen e ligjeve zgjedhore dhe standardeve ndërkombëtare, apo ndryshe përpiqen të minojnë integritetin dhe besimin në procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij”./