Fushata e zgjedhjeve, Antikorrupsioni: Ndalohet ryshfeti dhe presioni ndaj votuesve

Shtatë kandidatët për president – Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova, Stevçe Jakimovski, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari dhe Maksim Dimitrievski sot e nisin fushatën presidenciale. Raundi i parë është caktuar të mbahet më 24 prill, të mërkurën dhe të drejtë vote do të kenë 1.814.317 votues.

Fushata do të jetë nën vëzhgimin e anëtarëve kundër korrupsionit. Nga Antikorrupsioni kujtuan se është rreptësisht e ndaluar ryshfeti i votuesve, keqpërdorimi i burimeve shtetërore, si dhe presioni dhe frikësimi i votuesve. Komisioni Shtetëror për parandalimin e Korrupsionit publikoi edhe listën e institucioneve të cilat edhe pse kishin detyrim, nuk i kishin dorëzuar organeve listën e automjeteve të tyre zyrtare. Bëhet fjalë për 1063 subjekte, ndër të cilat ka një numër të madh prokurorish, gjykatash, komunash, shkollash, por edhe ministri si ajo e Jashtme, ajo e Drejtësisë e të tjera.

Marketing

Në Ministrinë e Drejtësisë sot janë takuar Krenar Lloga dhe kryetarja e misionit të ODIHR, Xhilian Stirk. Siç njoftoi Ministria, Stirk ka paralajmëruar se një ekip ekspertësh do të punojnë për çështje që kanë të bëjnë me administratën, financimin politik, financimin e fushatës, si dhe do t’i monitorojnë mediet. Nga ana tjetër, Lloga vlerësoi se legjislacioni ligjor është në nivel të kënaqshëm dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-së janë zbatuar, por mbetet sfidë për institucionet që të përballen me sukses me gjuhën e urrejtjes dhe lajmet e rreme.

Nga sot e deri më 8 maj qytetarët do të mund të denoncojnë çdo shkelje të së drejtës së votës në linjën e posaçme telefonike te Avokati i Popullit 0800 54321. Sipas njoftimit, pas denoncimeve të qytetarëve do të veprohet menjëherë, ndërsa Avokati i Popullit për të mbrojtur të drejtën e votës, do të ndërmerr masa urgjente për veprimin e organeve kompetente të përfshira në procesin zgjedhor.

Paraprakisht, edhe Prokuroria Publike kishte njoftuar se është themeluar Komision për monitorimin e parregullsive zgjedhore. Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Brendshme formoi Shtabin Operativ për të siguruar proces të sigurt zgjedhor. Alsat