Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, ndonëse fushata zgjedhore nuk ka nisur zyrtarisht, kanë intensifikuar komunikimin me qytetarët, veçanërisht në rrjetet sociale me qëllim që të prezantojnë aktivitetin e partisë që përfaqësojnë. Partitë në pushtet po prezantojnë aktivitetet e institucioneve që përfaqësojnë dhe punët që kanë bërë për të kontribuar në cilësinë e qytetarëve. Ndërkaq, partitë opozitare gjithnjë e më shumë po zgjedhin rrjetet sociale që të kritikojnë politikat e qeverisë. Por, askush në Maqedoninë e Veriut nuk e di se sa para po harxhojnë partitë politike, për të reklamuar në rrjetet sociale.
Partitë politike janë të obliguara me ligj që te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të dorëzojnë raport të detajuar lidhur me shpenzimet për reklama në mjetet e informimit si televizion, radio, gazeta apo media on-line. Por, deri më tani asnjë parti nuk ka treguar se sa para kanë harxhuar për të sponsorizuar në rrjetet sociale. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se sipas ligjit, partitë nuk janë të obliguara që të tregojnë për shpenzimet e tyre në rrjetet sociale. Fadil Veseli, specialist për reklamim digjital, për Radion Evropa e Lirë thotë se partitë politike në vend nuk janë mjaftueshëm të informuara që të shfrytëzojnë rrjetet sociale në mënyrën e duhur, përkatësisht informacionin e caktuar ta targetojnë te grupet e interesit. “Shumica e njerëzve që bëjnë postime dhe reklamime të politikave të tyre të caktuara në Facebook, nuk dinë dhe aq mirë të rregullojnë strategjinë për të përçuar mesazhin te grupet e interesit. Facebook-u për çdo ditë ndryshon algoritmin dhe ndodh që t’ju shkoj huq atyre (politikanëve) fushata dhe të dalë jashtë territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Bullgari ndoshta edhe në Indi reklama e caktuar, ndërkohë që ai mendon se është reklamuar këtu”, thotë Veseli. Ekspertët i shohin shumë problematike edhe profilet e rreme, që shpërbejnë për partitë politike për të sponsorizuar reklamimin e aktiviteteve partiake, por edhe pasimin e lajmeve të rreme.
Vanja Mihajllova, ish-anëtare e Komisionit për anti-korrupsion, për Radion Evropa e Lirë thotë se informacionet në rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut shumë vështirë mund të kontrollohen. Ajo madje e quan atë si “zonë gri”. “Se bëhet fjalë për një zonë gri, kjo është më se e vërtetë. Përmes profileve të rrejshme, partitë politike janë duke derdhur para për sponsorizimin e informacioneve (kundër) oponentëve politikë”, thotë Mihajllova, duke shtuar se në këtë mënyrë, partitë po i shfrytëzojnë profilet e rreme për të zhvilluar fushatë, duke dashur që të mos tregojnë se ata qëndrojnë pas tyre.
Përderisa, Anita Latifi një nga personalitet më të zëshme në rrjetet sociale, që nxit debate për çështje të caktuara, për Radion Evropa e Lirë thotë partitë politike dhe politikanët po shfrytëzojnë rrjetet sociale për komunikim të drejtpërdrejtë kundrejt grupeve të caktuara shoqërore. “E para është shpejtësia me të cilën mund të përcillet një informacion duke marrë parasysh që sa kohë qytetarët kalojnë në rrjetet sociale për dallim nga mediat e tjera dhe e dyta ky kanal (rrjetet sociale) nuk është i njëanshëm. Pra jo vetëm që përcillet një informacion, por jepet mundësia për komunikim të dyanshëm me qytetarët”, thotë Latifi. Ekspertët theksojnë se në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka ndonjë studim serioz mbi efektet konkrete nga përdorimi i rrjeteve sociale në procesin elektoral, ndonëse të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se mbi 80 për qind e qytetarëve përdorin internetin. Maqedonia e Veriut pritet të mbajë zgjedhje të përgjithshme më 12 prill të vitit 2020. (REL)