G20: Liderët botërorë mblidhen për të diskutuar për klimën dhe Covid-19

Ndryshimet klimatike dhe Covid-19, janë në krye të agjendës së udhëheqësve botërorë, të cilët u mblodhën në Itali.

Marketing

Kjo është hera e parë që liderët e G20 takohen ballë për ballë, që nga fillimi i pandemisë.

Megjithatë, Xi Jinping i Kinës dhe Vladimir Putin i Rusisë nuk iu bashkuan samitit në Romë, duke zgjedhur që të jenë përmes lidhjeve me video, shkruan BBC.

Bisedimet vijnë pas paralajmërimeve gjithnjë e më të tmerrshme për të ardhmen nëse nuk ndërmerren veprime urgjente për të ulur emetimet.

G20 – e përbërë nga 19 vende dhe Bashkimi Evropian, vlerësohet të jetë përgjegjës për 80% të emetimeve të dioksidit të karbonit në botë.

Duke folur për BBC, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson e përshkroi ndryshimin e klimës si “kërcënimin më të madh për njerëzimin“, duke thënë se ai përbën një “rrezik për qytetërimin që në thelb shkon prapa“.

Ishte kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ai që mirëpriti liderët botërore në qendrën e konventave Nuvola në kryeqytet. Në fjalimin hapës, ai u shpreh optimist për të ardhmen, dhe tha se multilateralizmi është e vetmja përgjigje e mundshme.

“Pandemia na ndau. Është e qartë se multilateralizmi është përgjigja më e mirë e mundshme ndaj problemeve që ne përballemi sot. Në shumë mënyra është e vetmja përgjigje. Nga pandemia te ndryshimet klimatike, apo taksimi i drejtë, të vepruarit të vetëm nuk është një opsion. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të tejkaluar ndasitë”, u shpreh Draghi./