Gjatë ditës do të vendoset edhe për masa të tjera ndëshkuese dhe për sanksione të tjera ndaj Rusisë. Më së shumti debate ka pasur këto dy ditë rreth ndalimit të importit të arit nga Rusia. SHBA e kanë mbështetur këtë propozim, por jo edhe disa vende të tjera. Në grupin G7 bëjnë pjesë SHBA, Gjermania, Franca, Kanadaja, Britania e Madhe, Japonia dhe Italia. Ndërsa në samit janë edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
Scholz: Po kërkohet zgjidhje për transportin e grurit
Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se ata po ndërmarrin të gjitha masat e mundshme për të gjetur një zgjidhje për transportin e drithërave ukrainase, të cilat kanë mbetur të bllokuara. “Jemi duke biseduar ditë e natë, për të gjetur një zgjidhje”, tha Scholz. Shumë vende po kërcënohen nga uria ndërsa Rusia po e përdor edhe grurin si armë. G7 po përpiqet të gjejë zgjidhje për të zbutur problemet me urinë në disa vende të rrezikuara, sepse Rusia dhe Ukraina eksportojnë një të tretën e drithërave të nevojshme në treg. Organizata Botërore e Ushqimeve bën të ditur se rreth 50 milionë njerëz të tjerë po kërcënohen drejtpërdrejt nga uria. Në këtë samit janë inkuadruar edhe krerët e disa vendeve të mëdha në botë, si India dhe Indonezia, por edhe Afrika e Jugut, Senegali dhe Argjentina, si dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres. Megjithatë më së shumti vëmendje ka zgjuar inkuadrimi me video në samit i presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyj.
Tema kryesore – lufta në Ukrainë
Presidenti Zelenskyj ka kërkuar prej vendeve të G7-ës që të zgjerojnë ndihmat dhe t’i dërgojnë vendit të tij armë të tjera, me të cilat do të mundësohej mbrojtja nga sulmet brutale të Rusisë. Në një mesazh përmes videos ai tha se Ukraina ka nevojë për sisteme të mbrojtjes kundërajrore, për t’u mbrojtur nga sulmet e intensifikuara ruse. Njëkohësisht Zelenskyj kërkoi nga shtatë vendet më të zhvilluara ekonomike që të shtojnë presionin dhe sanksionet kundër Rusisë. Po ashtu kërkoi që të ndihmojnë Ukrainën në eksportin e drithërave të bllokuara, sepse kjo i siguron këtij vendi të ardhura të tjera financiare, të domosdoshme për mbrojtjen dhe rindërtimin e vendit.
Temat e tjera
Në ditën e dytë të takimit po trajtohen edhe tema të tjera me interes global: Klima, energjia dhe shëndetësia. Në këtë kontekst janë të mirëseardhura edhe kontributet e vendeve të tjera që janë ftuar si pjesëmarrëse mysafire: Indonezia, Afrika e Jugut, India, Senegali dhe Argjentina.
Në samit debatohen edhe partneritetet e qëndrueshme në politikë dhe energji. Kancelari Scholz synon krijimin e një klubi ndërkombëtar për ruajtjen e klimës, i cili do të kishte në thelb vendet e G7. Scholz tha se politika ndërkombëtare e klimës duhet të koordinohet më ngushtë. DW/