Cristiano Ronaldo u prezantua me një ceremoni madhështore në Arabinë Saudite të martën, por në konferencën për mediat pas prezantimit, duket se ylli i futbollit nuk e kishte kuptuar mirë se ku ndodhej.
“Futbolli është ndryshe, zhvillimi i futbollit është ndryshe. Kështu që për mua nuk është fundi i karrierës ardhja në Afrikën e Jugut. Prandaj dua të ndryshoj dhe të them të drejtën nuk e vras shumë mendjen për atë që thonë njerëzit”, tha Ronaldo, duke ngatërruar shtetin afrikan me atë aziatik.
Javën e kaluar, portugezi firmosi një kontratë me vlerë rreth 200 milionë euro për të luajtur për 2 vite e gjysmë për skuadrën saudite, duke i dhënë kështu lamtumirën futbollit europian, ku shkëlqeu për mbi 15 vite me Manchester United, Real Madrid dhe Juventus.
Gjatë ceremonisë së prezantimit, Ronaldo u ndoq nga 25 mijë vetë që kishin mbushur stadiumin e Al-Nassr.
Transferimi i Ronaldo në Arabinë Saudite është rrethuar nga shumë zëra. Disa thonë se në kontratë ka një klauzolë që do ta lejojë të luajë në huazim në Newcastle United – klub në pronësi të familjes mbretërore saudite – ndërsa të tjerë thonë se lojtari që mbante numrin 7 para portugezit u nxor në shitje pasi refuzoi të dorëzonte numrin.