Ganiu: Aplikuam me 5 projekte të reja, synojmë investime prej 8.5 milionë euro për Çairin

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka bërë të ditur se janë dorëzuar me sukses 11 projekte infrastrukturore dhe se sot janë aplikuar edhe me 5 projekte të tjera në kuadër të fazës së dytë të aplikimit për vitin 2025, në përgjigje të thirrjes publike të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

“Ky proces është rezultat i punës së palodhshme dhe përkushtimit të ekipit tonë profesional,” u shpreh Ganiu, duke theksuar bashkëpunimin dhe angazhimin për përgatitjen e projekteve.

Ai shtoi se komuna synon të dorëzojë edhe projekte të tjera deri në përfundim të afatit, me qëllim që të arrihet një shumë totale prej 8.5 milionë euro. Investimet e planifikuara përfshijnë sektorë kyç si ujësjellësi, kanalizimet, ndriçimi publik, rikonstruksioni i rrugëve dhe përmirësimi i infrastrukturës urbane në zona të rëndësishme të komunës.

Ganiu theksoi se përkushtimi i institucionit që ai drejton do të reflektohet në projekte konkrete që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe paralajmëroi vazhdimin e punës me të njëjtin ritëm për një Çair më modern dhe funksional.

Marketing