Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka njoftuar për përfundimin me sukses të aksionit dyjavor të pastrimit të mbeturinave të forta në këtë komunë. Gjatë 15 ditëve të fundit, në pikat e vendosura enkas për grumbullimin e kabastive, janë mbledhur gjithsej 210 metra kub materiale, përfshirë mobilje të vjetra dhe pajisje shtëpiake të hedhura.
Ky aksion kontribuoi në mënyrë të dukshme në përmirësimin e pastërtisë dhe estetikës në hapësirat publike të Çairit. Ganiu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit qytetar dhe kërkoi mirëkuptim nga banorët që të përmbahen nga hedhja e mbeturinave të forta deri në njoftimin e aksionit të radhës.
“Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin,” përfundoi Ganiu në njoftimin e tij zyrtar.