Ganiu: Çairi nikoqir i kampit të parë zyrtar të FC Barcelonës

Komuna e Çairit do të jetë nikoqire e kampit të parë zyrtar të FC Barcelona në Maqedoninë e Veriut, i cili do të mbahet nga data 11 deri më 15 qershor 2025 në stadiumin e FC Shkupi. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i komunës, Visar Ganiu, pas takimit me përfaqësuesit e Barça Camp Maqedoni, z. Nderim Nexhipi, si dhe me përfaqësues nga KFV Prishtina dhe Barça Camp Kosova, znj. Armenda Filipaj dhe z. Flamur Kelmendi.

Marketing

Ky kamp ndërkombëtar do t’u ofrojë vajzave dhe djemve të moshës 6 deri në 18 vjeç mundësinë për një trajnim unik sipas metodologjisë zyrtare të FC Barcelona, nën udhëheqjen e trajnerëve të licencuar nga klubi prestigjioz spanjoll.

“Kjo është më shumë se një ngjarje sportive. Është një mesazh për përfshirje, cilësi dhe mundësi për fëmijët tanë,” tha kryetari Ganiu, duke theksuar rëndësinë e veçantë që kjo ngjarje ka për të rinjtë dhe promovimin e barazisë gjinore.

Organizimi i kampit në Çair pritet të sjellë vëmendje ndërkombëtare dhe të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të sportit dhe edukimit tek të rinjtë e komunës.