Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit të koordinuara për përmirësimin e infrastrukturës rrugore të bulevardeve në Çair. Fillon procesi i punës për asfaltimin e bulevardit “Krste Misirkov” në Bit Pazar.
Nga momenti i parë kur fillova mandatin tim si kryetar i Komunës së Çairit, ndër prioritetet parësore të Komunës së Çairit është përmirësimi i infrastrukturës rrugore, mision të cilin në vazhdimësi po e realizojmë përmes aksioneve të asfaltimit të rrugëve sekondare që janë kompetencë e jona në më shumë lagje të Çairit.
Poashtu, e një rëndësie mjaft të madhe për Komunën e Çairit është edhe asfaltimi i bulevardeve që ndodhen në territorin e saj për mirëmbajtjen e të cilave po realizojmë bashkëpunim korrekt dhe shumë efikas me institucionin kompetent – Qytetin e Shkupit. Pikërisht sot, bashkë me kryetarin e Qytetit të Shkupit z. Petre Shilegov inspektuam fillimin e punimeve për asfaltimin e njërit prej bulervadeve më të frekuentuara të vendit – bulevardin Krste Misirkov dhe së bashku deri në fund do të përkujdesemi që punimet e filluara të realizohen në mënyrë cilësore dhe në afatin e përcaktuar prej 30 ditëve.