Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu sot është pritur në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në këtë pritje ishin edhe 5 gjimnazistët e Çairit Krenar Ahmeti, Dijar Selami, Andi Ganiu, Endrit Shaqiri, Jasir Idrizi, të cilët krijuan aplikacionin më të mirë për qendrën hapësinore NASA, sikurse edhe pjesë të stafit komunal. Ky takim paraqet një faqe mjaft të rëndësishme të bashkëpunimit mes kryeqendrës shqiptare dhe Komunës së Çairit.
Dy kryetarët Ganiu dhe Veliaj kryesisht u përqëndruan në zhvillimin e një sërë aktivitetesh dhe projektesh të përbashkëta që do ti mbanin qytetarët e dy vendeve edhe më pranë njëri tjetrit, por edhe do të ndikonin drejtëpërdrejtë në zhvillimin sa më të mirë të jetesës së tyre.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu në momentet që falënderoi homologun e tij shqiptar për këtë mikëpritje tha se duke bërë bashkë forcat mes Tiranës dhe Çairit avancimi në çdo fushë është më se i garantuar.
“Ishte kënaqësi e madhe që hasa në një mikëpritje të ngrohtë nga miku im Veliaj, u zotuam se bashkë do të punojmë dhe bashkëveprojmë duke u nisur nga fusha e kulturës, zhvillimi ekonomik lokal, këmbimi i përvojave të stafeve tona, sepse kjo është mënyra që dy pushtetet tona vendore të jenë në rrugën e duhur. Do të lidhemi edhe do bashkëpunojmë më intensivisht se kurrë më parë”, ka thënë Ganiu.
Veliaj ndërkaq duke përkujtuar se në vitin aktual Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, takimin e sotëm edhe më shumë e plotëson prezenca e 5 djelmoshave të rinj që bënë një zbulim kaq të rëndësishëm për të gjithë.
“Kjo është një arritje shumë e madhe, e jashtëzakonshme që duhet të shërbejë si shembull për rininë dhe një sfidë se duhet gjithnjë e më shumë të investojmë tek të rinjtë. Dhe nga ana tjetër Komunën e Çairit, që në fakt është Shkupi i Vjetër do të mund ta marrim si shembull i shumë proceseve konkretisht edhe në fushën e zhvillimit të kulturës dhe të ruajtjes të trashëgimisë kombëtare”, ka thënë Veliaj.
Dy kryetarët e komunave u zotuan se do t’i shpeshtojnë takimet e këtilla, e bashkë me këtë do të thellojnë edhe bashkëpunimin e ndërsjellë.