Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu dhe drejtoresha e Qendrës për arsimimin e të rriturve znj. Lindita Qazimi sot shpërndanë diploma për 272 të rritur që përfunduan me sukses shkollimin e mesëm në shkollën e mesme “Cvetan Dimov”. Qëllimi i projektit që tashmë po realizohet për herë të tretë është të kontribuojë në ngritjen e nivelit të përgjithshëm arsimor të qytetarëve, të kontribuojë në zvogëlimin e shkallës së analfabetizmit dhe të krijojë perspektivë më të madhe socio – ekonomike.
Kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu si bartës i realizimit të këtij projekti gjatë këtij viti shkollor, tha se kjo paraqet pasuri për shoqërinë dhe kombin tonë.
“Ndihemi krenar që ju kemi dhanë mundësi personave që për shkaqe të ndryshme nuk kanë pas mundësi të vazhdojnë shkollimin e mesëm. Mbi 270 persona sot diplomojnë që është një pasuri e madhe për shoqërinë dhe kombin tonë. Nxënia e dijes asnjëherë nuk është vonë. Mendoj që ne me këtë projekt kontribuojmë për të arsimuar këtë pjesë të popullatës por edhe për t’ju dhënë mundësi më të mëdha për punësim nesër apo në aspektin socio ekonomik të kenë hapësirë më të madhe në jetën shoqërore.”, u shpreh kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu.
Edhe drejtoresha e Qendrës për arsimimin e të rriturve znj. Lindita Qazimi tha se institucioni që ajo drejton do të vazhdoj të mbështes projekte të tilla.
“Shpresojmë që ky projekt kandidatëve do të ju ndihmoj në gjetjen e tyre në tregun e punës kurse ata që janë të punësuar në avancimin e tyre në vendin e punës.”
Para të pranishmëve foli edhe Besnik Ajeti, koordinator i projektit.
“Më lejoni të shpreh mirënjohjen time si koordinator i projektit për arsimim të të rriturve, se me sukses ka mbaruar grupi i tretë grup i përbërë prej tetë paraleleve me Gjithsej 272 kandidat për komunën e Çairit, konkretisht i 7-ti me radhë, edhe atë tre në Komunën e Haraçinës dhe një në Komunën e Sarajit. Një falënderim të veçantë për Kryetarin e komunës së Çairit z. Ganiun dhe drejtoreshës së Qendrës për arsimim të të rriturve Zonja Qazimi, që edhe përskaj moshës së tyre, apo shkaqeve financiare, që në të kaluarën kandidatët nuk kanë pasur mundësi të bëjnë një gjë të tillë e njëjta iu është mundësuar sot me ndihmën e juaj dhe sigurisht me përkushtimin tonë maksimal që kemi bërë gjatë këtij procesi. Me kënaqësi e them se kjo dukuri tani më ngadalë po bëhet realitet dhe po zhduket, dhe gjithsesi mbetemi me shpresë se në të ardhmen ky projekt do të vazhdoj.”, u shpreh Ajeti.
Në shpërndarjen e diplomave të shkollimit të mesëm mori pjesë edhe ish kryetari i Komunës së Çairit dhe nismëtar i projektit z. Izet Mexhiti.