Interi iu është përgjigjur me të njëjtin hap dy rivalëve të tjerë në garën për të siguruar kualifikimin në Champions League sezonin e ardhshëm, Milanit dhe Romës, duke fituar në ndeshjen e fundit për këtë të dielë 3-1 përballë Frosinones në transfertë.
Kur kanë mbetur edhe 6 javë nga fundi i sezonit të Serie A, Inter ruan distancën prej 5 pikësh nga kuqezinjtë dhe 6 pikësh nga verdhekuqtë e Romës, që në këtë javë kishin fituar ndeshjet respektive ndaj Lazios dhe Udineses.
Sa i përket ndeshjes në stadiumin “Benito Stirpe”, mund të thuhet se ishte pa shumë histori, teksa u zhbllokua që në minutën e 19 nga Nainggolan, pas një gjuajtjeje me kokë. Vetëm pak minuta më vonë, Chibsah do të rrëzonte Skriniarin në zonën e rreptësisë dhe, nga pika e bardhë e 11-metërshit, Perisiç do të dyfishonte shifrat.
Në pjesën e dytë, Cassata do të rikthente shpresat për vendasit që luftojnë për mbijetesën, por Vecino në minutën e 93-të do të mbyllte gjithçka, pas asistit të Icardit.