Lëvizja BESA, me kryetar Afrim Gashin, në lidhje me ofertën e kryeministrit Zoran Zaev, për t’i falur dhunuesit e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvend, thotë se politika nuk duhet të përzihet në punën e gjyqësorit, ndërkaq pajtimi është i mundur pasi të kërkohet falje dhe të ketë përgjegjësi.
“Parimisht jemi në qëndrimin se politika nuk ka të drejtë dhe nuk do të duhej në asnjë mënyrë të përzihet në punët e gjyqësorit. Çlirimi i drejtësisë nga politika është parakusht i shtetit të së drejtës dhe i perspektivës evropiane. Pajtimi është i mundur kur të kërkohet falje dhe kur dikush e merr përgjegjësinë. Hëpërhë shpresojmë se për këtë do të vendosë drejtësia”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësi i partisë, Orhan Murtezani.
Ndryshe, Zaev sot në seancën plenare të Kuvendit për nismën e ndryshimeve kushtetuese, paralajmëroi falje të dhunuesve të Kuvendit, në kompensim që opozitarja VMRO-DPMNE, t’i votojë ndryshimet kushtetuese.
“Hajde të pajtohemi, hapi i parë le të jetë 27 prilli. Atëherë, të gjithë ishim shënjestër e mundshme nga individë të manipuluar, dhe kjo është mundësi e shkëlqyer, duke qëndruar bashkë për ardhmërinë e Maqedonisë dhe fëmijët tanë, që t’i falim dhe të pajtohemi. Hajde ju të anës së djathtë të Kuvendit jepuani dorën anës së majtë të Kuvendit, hajde ju kolegë të anës së majtë të, jepuani dorën anës së djathtë”, tha Zaev.
Zaev tha se është koha që, siç tha ai “të falemi dhe të pajtohemi”, duke thënë se është i gatshëm që të mbajë edhe përgjegjësi politike për shtrimin e dorës për falje për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit.