Gashi mbështet qëndrimin e ministrit të jashtëm Bushati, apelon për unitet politik!

Lideri i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, ka apeluar për unitet politik ndërshqiptar në Maqedoni në prag të proceseve të rëndësishme që po e presin vendin. Përmes një postimi në facebook, Gashi ka tërhequr vërejtjen për rëndësinë e momentit politik për ardhmërinë e shqiptarëve.

Marketing

“Neve si gjeneratë na ra barra të ndërmarrin vendime të rëndësishme për shtetin në të cilin jetojmë. Janë këto vendime që nuk kanë të bëjnë vetëm me të sotmen tonë, por aq më shumë me të ardhmen dhe me fatin e brezave që vijnë pas nesh. Andaj edhe vlerësimi jonë përkitazi me këto vendime duhet bërë përmes gjykimit se sa do të jenë ato të dobishme për pasardhësit tanë. Mbi këto kritere duhet vlerësuar edhe referendumi lidhur me emrin e shtetit dhe të ardhmen e tij euro-atlantike.
Sot kur flitet edhe për ndryshime kufijsh, ne shqiptarët e Maqedonisë duhet t’i shlyejmë të gjithë ato kufij që na i imponuan grindjet ndërpartiake dhe duhet të përqendrohemi në ngritjen e urave drejt një të ardhme më të mirë mbarëkombëtare”, ka shkruar Gashi.
Ky prononcim i tij përmes facebookut erdhi pak kohë pas qëndrimit të shprehur nga ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati i cili tha se nevojitet të sanksionohet në Kushtetutë, e më pas të zbatohet në praktikë koncepti i barazisë mes maqedonasve dhe shqiptarëve si dy komunitete kryesore shtetformuese.

“Sigurisht, rolin kryesor në avancimin e statusit e kanë subjektet politike shqiptare dhe vetë shqiptarët. Por ne e konsiderojmë avancimin e statusit të shqiptarëve si një çështje prioritare të interesit kombëtar. Kësisoj, do të vijojmë angazhimin për respektimin e të drejtave dhe identitetit shqiptar atje”, ka theksuar Bushati.