Gashi: Sigurimi im ka ndihmuar për qetësimin e situatës me Vjosa Osmanin

Kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mohon përfshirjen e pjesëtarëve të sigurimit të tij personal në incidentin e sotëm në aeroportin e Shkupit. Një një reagim me shkrim, nga kabineti i të parit të Parlamentit shkruajnë se anëtarët e ekipit të sigurimit të Kryeparlamentarit Gashi kanë qenë të pranishëm në aeroport vetëm për ta qetësuar situatën e krijuar nga një keqkuptim mes sigurimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit.

Marketing

“Personeli i sigurimit të kryeparlamentarit Gashi, të cilët janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ndërhyrë për ta qetësuar situatën dhe për t’i udhëzuar kolegët e tyre për procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP. Me këtë rast teksojmë se çdo raportim që e sugjeron të kundërtën është tendencioz. Pas kësaj u bëjmë thirrje edhe mediave që kanë raportuar për këtë ngjarje, që ta verifikojnë informacionin e tyre para se të publikojnë pretendime të tilla dhe të veprojnë me përgjegjësi profesionale dhe etike”, shkruan në kumtesën e kabinetit të Afrim Gashit.