artitë qeveritare, LVV-ja e LDK-ja, dhe blloku opozitar në Kuvendin e Kosovës duhet t’i bashkojnë fuqitë për të bashkëpunuar për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë. Kështu ka deklaruar në një intervistë dhënë “Zërit” deputetja e Kuvendit të Kosovës Besa Gaxherri, e cila vlerëson se zhbllokimi i negociatave me Serbinë është një ndër sfidat më të mëdha të qeverisë “Kurti”
Me intensifikimin e angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë – Serbi deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Besa Gaxherri vlerëson se partitë në pushtet duhet të bashkëpunojnë intensivisht me partitë e bllokut opozitar, PDK-në, AAK-në e Nismën Socialdemokrate, me qëllim që sa më parë të gjendet rruga për arritjen e një marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi.
“Çështjet, të cilat janë nacionale dhe të rëndësishme për territorin e sovranitetin e vendin dhe për popullin në përgjithësi nuk mund t’i kapitalizojë një parti politike ose dy. Këto janë çështje për të cilat duhet t’i diskutojnë gjithë liderët e partive politike dhe me shumicë të vendosin si të shkojmë tutje”, ka thënë Gaxherri në një intervistë për “Zërin”.
Në një fazë tejet kritike për vendin deputetja e LDK-së vlerëson se dy partnerët qeverisës, LDK-ja dhe LVV-ja, nuk guxojnë assesi të bëjnë veprime të cilat e rrezikojnë besimin e partnerëve ndërkombëtarë, siç është SHBA-ja dhe disa shtete të BE-së.
Ndërkohë deputetja e LDK-së në këtë intervistë ka folur edhe për prioritetet e qeverisë “Kurti”, që sipas saj shtrihen në fushën e zhvillimit ekonomik, përmirësimin e sistemit të shëndetësisë, atij arsimor, si dhe atij të sigurisë. Gaxherri e ka mirëpritur angazhimin e SHBA-së në dialogun Kosovë – Serbi, derisa e ka kritikuar BE-në e cila nuk ka ndërmjetësuar në mënyrë të suksesshme dialogun Kosovë – Serbi.