Gazeta gjermane: Vuçiç po ndjek mësimet e marra nga Millosheviçi

Gazeta prestigjioze gjermane, “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” ka publikuar një shkrim në lidhje me situatën në Veri të Kosovës të titulluar “Lojëra serbe”.

Marketing

Në analizën e tij, gazetari Michael Martens, ka sulmuar presidentin serb Aleksandër Vuçiç, të cilin e cilëson si njeriun që fshihet pas sulmeve në Kosovë dhe që bën cinikun sikur nuk është në dijeni.

Sipas Martens taktika e Vuçiç është një kopje e metodave të Millosheviçit në vitet 90, të cilat u kopjuan më pas nga Putin në Krime.

“Kur Jugosllavia u shemb përgjakshëm tridhjetë vjet më parë, Serbia luajti një lojë cinike: ndërsa trupat e financuara dhe të dërguara në betejë nga Beogradi plaçkitën, vranë dhe kryen pushtime në Kroaci dhe më vonë në Bosnje, Presidenti serb Slobodan Millosheviç sillej si një engjëll i pafajshëm. Ai pohoi se vendi i tij nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjet, se ishte një konflikt ndërmjet serbëve vendas dhe shteteve ku ata jetonin. Ishte një gënjeshtër e hapur, dhe megjithatë vështirë se dikush në Perëndim foli kundër saj. Perëndimi preferoi ta shihte Millosheviçin si partner negociator. Putini kopjoi me sukses sistemin e Millosheviçit në Krime në vitin 2014. “Rusët vendas” që luftonin në Krime ishin forca speciale të ushtrisë ruse pa emblema kombëtare në uniformat e tyre. Zyrtarisht, Kremlini pretendoi se nuk dinte asgjë për të. Sot, kur gënjeshtra nuk është më e nevojshme, Moska mburret me ish-operacionin special për pushtimin e Krimesë. Gënjeshtra e djeshme është bërë akti heroik i sotëm.

Diçka e ngjashme po ndodh aktualisht në Ballkan. Veriu i Kosovës me popullsi serbe kontrollohet kryesisht nga Serbia. Pothuajse të gjitha punët varen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Beogradi. Asgjë e rëndësishme nuk ndodh në veri pa dijeninë e qeverisë serbe. Një javë më parë, një grup prej 30 personash u shfaq papritur në veri. Të pajisur mirë, me armë zjarri, granata dore, mjete të blinduara dhe pajisje komunikimi, të kamufluar nën kapuç. Skuadra mbylli një rrugë, joshi një njësi të policisë së Kosovës në një pritë dhe qëlloi një oficer policie, për t’u barrikaduar më pas në një manastir ortodoks. Së paku tre prej tyre u vranë në një përleshje të mëvonshme me policinë e Kosovës”, thuhet në artikull.

Gazetari Martens, sjell në vëmendje rolin që Vuçiç ka pasur si ministër i propagandës në qeverinë e Millosheviçit dhe nënvizon se ai nuk duhet besuar pasi po kopjon metodat e mësuesit të tij.

“Vuçiç tha se nuk dinte asgjë për këtë, duhet të jesh shumë naiv për ta besuar. Vuçiç po përdor metodën e mësuesit të tij Millosheviçit, ministër i propagandës i të cilit ishte dikur”, shkruan Martens.

Gazetari e mbyll analizën e tij me një apel ndaj Gjermanisë dhe BE-së që të ndalin sa janë në kohë presidentin serb dhe lojërat e tij.

“Vuçiç po ndjek një strategji cinike në Kosovë. Është koha t’i thërrasim me emrat e tyre. Jo vetëm në retrospektivë, si me Millosheviçin dhe Putinin, por tani. Shtrembërimi i fakteve është loja e tij. Askush nuk po e detyron BE-në apo Berlinin të “luajnë” së bashku”, mbyllet artikulli.