Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u përball me një pyetje të papritur nga një gazetar që merrte pjesë në konferencën e tij.
Ai e pyeti Blinken se çfarë ka arritur Izraeli në operacionin e tij, përveç “vrasjes së afro 10,000 njerëzve“, raporton BBC.
Në përgjigje të pyetjes që e zuri pak në befasi, Sekretari i Shtetit deklaroi se asnjë vend në botë nuk do të pranonte vrasjen e civilëve, që nisën pas sulmit të 7 tetorit fillimisht nga militantët e Hamasit e më pas nga Izraeli.
Blinken theksoi sërish nevojën për të marrë masa për mbrojtjen e civilëve, gjithashtu u shpreh se në bisedat me qeverinë izraelite kanë pasur në fokus hapat që ata mund dhe duhet të ndërmarrin për të minimizuar dëmin ndaj civilëve.
“Megjithatë, kjo është gjithashtu një sfidë e jashtëzakonshme pasi Hamasi në mënyrë cinike futet në mes të civilëve të armatosur në tentativë për të vendosur kontroll në shkolla, spitale, xhami dhe ndërtesa banimi”, shtoi më tej ai.
Pyetja Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, iu bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me ministrin e jashtëm jordanez, Ayman Safadi dhe ministrin e jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry.
Safadi tha se rajoni po fundosej në një “det urrejtjeje” dhe Jordania nuk pranon që “vrasja e të pafajshmëve” dhe shkatërrimi i shkaktuar nga lufta ishte “vetëmbrojtje“. Ai foli gjithashtu kundër akteve të islamofobisë dhe antiseitizmit, duke thënë se “konflikti Izrael-Gaza nuk është një luftë midis muslimanëve dhe hebrenjve”.
Blinken nga ana e tij, e falënderoi Egjiptin për lehtësimin e kalimit të ndihmave dhe civilëve të plagosur midis Gazës dhe Egjiptit. Ai ripohoi qëndrimin e SHBA-së se Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër Hamasit, por shtoi se “duhet të marrë çdo masë të mundshme për të parandaluar viktimat civile“.
Ndërsa ministri i jashtëm egjiptian bëri thirrje për një armëpushim në Gaza “pa asnjë kusht”.