Laris Gajser, gazetari që publikoi materialet lidhur me rastin “Reket” në Maqedoni ka paralajmëruar tërmet politik në Maqedoninë e Veriut. Ai këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për portalin serb “Alo”. Gajser në gazetën “La Verita” publikoi bisedat e protagonistëve të rastit “Reket” dhe provat se si ishin dhënë 1.5 milionë euro nga biznesmeni Orce Kamcev për të stopuar hetimet ndaj tij nga Prokuroria Speciale. Gajser, një gazetar slloven, por që punon në gazetën milaneze i ka dërguar porosi publike kryeministrit Zoran Zaev, duke kërkuar dorëheqjen e tij, sepse së shpejti do të publikojë prova shokuese që do ta rrëzojnë nga pushteti.
“Unë di shumë më tepër. Unë kam informacione inkriminuese për politikanë të rangut të lartë, dhe ato i mbaj në kasafortë të gazetës “La Verita” pasi nuk kam dëshirë që ti mbaj provat tek nëna ime sikur Boki 13. Për fat të keq, do të më duhet të pres pak me publikimin për të mos rrezikuar burimet e mia në Maqedoni, por sinqerisht të them , duke pasur parasysh provat që kam paraqitur, kjo duhet të jetë e mjaftueshme për të vendosur pas hekurave dhe për ta detyruar Presidentin Pendarovski të gjejë një kryeministër të ri. Ne kemi nevojë të ndihmojmë Maqedoninë të rimarrë dinjitetin dhe demokracinë e saj. Nëse unë do të isha këshilltar i Zaevit, dhe sikur të dija gjithçka që dija, menjëherë do ta këshilloja që të hiqte dorë nga posti. Për të mirën e tij dhe për të mirën e Maqedonisë. Herët a vonë ai do të duhet të largohet. Ai tashmë është në të kaluarën edhe ndërkombëtarisht i vdekur”, ka nënvizuar Gajser. Vetëm pas publikimit të materialeve të tij, kryeprokurorja e dorëhequr speciale, Katica Janeva përfundoi në paraburgim si e dyshuar në rastin ‘Reket’.