Gazetari i njohur kroat, Velimir Bujanec, ka treguar për herë të parë se si ishte pritur në vendin prej nga ai vjen lajmi për rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz.
Ai, në “BlicInterview me Astrit Gashin” ka treguar se kur lajmi kishte dalë në tabloidet kroate, të gjithë ekzemplarët ishin shitur menjëherë dhe e gjithë Kroacia ishte shokuar nga agresioni serb që po ushtrohej ndaj shqiptarëve.
Bujanec madje ka treguar se ka qenë i kërcënuar atë kohë nga serbët veç pse po i tregonte të gjithëve terrorin që Serbia po e ushtronte në Kosovë.
“Para së gjithash, unë i kam dashur miqtë shqiptarë, edhe para luftës atdhetare edhe para agresionit të Serbisë së Madhe, jam rritur (nuk kuptohet) një vend afër qytetit të Varazhdinit, atje ka njerëz tuaj që punojnë si bukëpjekës apo edhe në ëmbëltore. Ata gjithmonë kanë qenë të kulturuar, të dashur dhe tejet të drejtë – njerëz të cilët e kanë dashur dhe e duan punën, të cilët edhe sot ndihmojnë në ekonominë e Kroacisë”, tha Bujanec,.
“Më pas ndodhi ajo lufta, agresioni i Serbisë, unë edhe para viteve ’90 kur serbët ushtruan terror politik dhe ia prenë fatin shqiptarëve, kur kam qenë krejt i ri, madje isha ende në shkollë, kur u interesova për problemet të cilat ju i keni pasur me policinë serbe sa ishte koha e ish-Jugosllavisë komuniste”.
Ai ka thënë se kur u bë lufta në Kroaci, shqiptarët ishin ndër të parët që u ngritën dhe që e morën iniciativën “për t’iu bashkuar kësaj beteje për një Kroaci të pavarur [të lirë] mirëpo edhe një beteje kundër agresionit serb”.
“Ajo luftë veç edhe më shumë e ka forcuar respektin tim për popullin tuaj. Së pari duhet të theksoj se statistikat e paraqitura tregojnë mjaftueshëm. Në luftën atdhetare të Kroacisë, në mbrojtje të kroatëve, kanë dalë tre mijë shqiptarë”.
“Nga tre mijë shqiptarë, dy mijë e pesëqind prej tyre kanë qenë vullnetarë. Njerëz të cilët vetvetiu kanë marrë pushkën në krah dhe janë përgatitur për ta mbrojtur Republikën e Kroacisë”.
“Nga ata dymijë e pesëqind, më shumë se 80 janë vrarë dhe 300 të tjerë janë plagosur. I gjithë ky numër është mbresëlënës për njerëzit që e kanë dëshmuar dashurinë që kanë për Kroacinë, për mbrojtjen e saj kundrejt agresionit serb me pushkë në dorë”.
“Kjo është një miqësi e pathyeshme e cila është dëshmuar gjatë këtyre dhjetë dekadave. E këta njerëz përveç se në Kroaci kanë marrë pjesë edhe në luftën e Bosnjës e Hercegovinës, përsëri kundrejt luftës agresive të serbëve”
“Shumë prej tyre të cilët kanë marrë pjesë në luftën e Kroacisë dhe atë të Bosnje e Hercegovinës, janë rreshtuar të parët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një prej tyre edhe miku im Esad Çollaku i cili edhe ka organizuar ngjarjen time në Prishtinë, dhe i jam falënderues për këtë”.
“Ka pasur edhe shumë të vrarë të cilët të themi i kanë mbijetuar luftës në Kroaci, i kanë mbijetuar luftës në Bosnje e më pas kanë ardhur këtu”.
“Duhet ta përmend edhe këtë, nuk kam qenë gazetar i televizionit por kam qenë gazetar i një tabloidi, kam krijuar një portal tabloid nga i cili kanë dalë më pas redaktor kyç në shumë gazeta”.
“Jam i pari që në Koraci kam publikuar, atë ditë apo të nesërmen ka qenë temë javore – tema për familjen Jashari, atë që ka përjetuar kjo familje dhe ishte një shok në Kroaci, sepse propaganda serbomadhe e ka fshehur atë që ka ndodhur në Kosovë dhe në kuadër të kësaj familjeje”.
“Unë e di që atëherë shqiptarët i kanë blerë të gjithë ekzemplarët në Kroaci dhe është dashur të bëjmë shtypje shtesë”.
“Kemi pasur probleme të mëdha sepse eksponentët e politikës serbomadhe më kanë kërcënuar për publikimin e kësaj të vërtete për luftën e drejtë çlirimtare në Kosovë, të popullit shqiptar që në fund ka luftuar me sukses për shtetin e vet të pavarur”, tregon gazetari kroat.