Ballina Aktuale Gazzetta dello Sport: Shqipëria e Panuccit vështirë ta përsëritë suksesin e ekipit...

Gazzetta dello Sport: Shqipëria e Panuccit vështirë ta përsëritë suksesin e ekipit të De Biasit

Të enjten nisin ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian, ‘Euro 2020’. Do të jenë pikërisht Kazakistani dhe Skocia, ekipet kombëtare që do të shkelmojnë topin e parë në “Astana Arena” të kryeqytetit kazak, duke nisur nga ora 16:00. Nesër po ashtu do të luhen edhe nëntë ndeshje të tjera, për të vijuar më pas të premten me shtatë ndeshje dhe të shtunën me tetë të tjera.

Marketing

Një Evropian ndryshe nga të tjerët, me një formulë të re për shkak të ndikimit të Ligës së Kombeve, garën më të re të UEFA-s në rang kombëtaresh. Pikërisht këto dy turne do të integrohen me njëri-tjetrin.

Kualifikueset për ‘Euro 2020’, që do të zhvillohen përmes 10 grupeve (pesë me nga pesë skuadra dhe pesë me nga gjashtë skuadra) pas tetë muajsh, më 19 nëntor do të japin verdiktet e tyre: kualifikohen dy të parat e çdo grupi, që do të thotë 20 kombëtare. Katër të fundit do të vijnë nga ‘play off-et’ mes kombëtareve “të pakualifikuara” të marsit 2020, në të cilat marrin pjesë skuadrat fituese të ligave në Ligën e Kombeve ose nëse ato e kanë siguruar kualifikimin me kualifikueset e viti 2019, futen ekipet që pasojnë në klasifikimin e Ligës së Kombeve, nga një për çdo seri – transmeton Top Channel.

 

Për ta kuptuar këtë, sjellim rastin e Portugalisë që fitoi Grupin 3 të Ligës A të Ligës së Kombeve, ku bënte pjesë edhe Italia. Nëse portugezët nuk kualifikohen në grupin e kualifikuesve të vitit 2019, do të kishte një tjetër mundësi me ‘play off-et’ e vitit 2020 (pasi ka fituar grupin në Ligën A), ndërkohë që nëse kualifikohet përmes kualifikueseve, do t’ia linte vendin një tjetër kombëtareje të Ligës A në ‘play off. Në këtë rast vlen të theksohet se nuk futen direkt të dytat apo të tretat e të njëjtit grup, siç ishte Italia apo Polonia në rastin e Portugalisë, por ekipi që ndjek në renditjen totale të Ligës A.

Mirëpo, si e sheh Gazzetta dello Sport grupin H, ku bën pjesë ndër të tjera edhe Shqipëria e drejtuar nga Christian Panucci?

Në grupin H – shkruan e përditshmja sportive italiane – bën pjesë Franca kampione e botës, që nuk besohet të ketë pengesa të mëdha. Edhe pse u mposht nga Holanda në Ligën e Kombeve (e para humbje që prej marsit 2018, pas 17 ndeshjesh), nuk mund të rrezikohet nga Islanda që zhgënjeu në Botëror dhe ra në Ligën B të Ligës së Kombeve apo nga Turqia që ra në Ligën C, e cila iu beson ende lojtarëve të tillë si 38-vjeçari Emre apo 33-vjeçari Burak Yilmaz.

Gianni de Biasi (Foto: Handout/UEFA via Getty Images/Guliver)

“Ndaj, për vendin e dytë do të duelohet edhe nga Shqipëria e Christian Panuccit që vështirë se do të përsërisë suksesin e kualifikimit në Evropian nën drejtimin e (Gianni) De Biasit, por që në përbërjen e saj ka (Elseid) Hysajn e Napolit, Taulant Xhakën e Bazelit dhe (Ledian) Memushajn e Pescaras”, shkruan prestigjiozja italiane. Në grup janë edhe Moldavia e Andorra, që duket se do të mbyllin edhe renditjen në fund të kualifikueseve.

Në grupin A, ku ndodhet Anglia gjysmëfinaliste e Botërorit dhe pretendentja kryesore pasi fitoi edhe grupin e Ligës së Kombeve me Spanjën e Kroacinë, bën pjesë edhe Kosova që, sipas Gazzetta dello Sport, ka gjasa shumë të vogla për t’u kualifikuar.

Marketing
Exit mobile version