Georgiev: Qeveria duhet të emërojë person për integritet i cili do ta këshillojë

Qeveria duhet në afat prej 30 ditëve pasi që i mori rekomandimet e GREKO-s, të emërojë person për integritet i cili do t’i këshillojë kryeministrin, ministrat dhe të punësuarit e tjerë të sjellin vendime të drejta dhe të qëndrueshme në pajtim me ligjet, moralin dhe etikën dhe në mënyrë në të cilën do ta evitojnë konfliktin e interesit dhe do t’i ndajnë interesin publik dhe atë privat, deklaroi sot anëtari i Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit, Vlladimir Georgiev.

Marketing

Ai theksoi se ky person, që do ta emërojë Qeveria, paraprakisht do të trajnohet nga KSHPK, ndërsa persona të tillë për integritet di të duhet të emërohen edhe në nivel qendror dhe lokal në të gjitha institucionet shtetërore. Personat të cilët do të jenë të angazhuar për këtë në institucionet, sipas të gjitha gjasave do të jenë nga radhët e tashmë të punësuarve dhe këshillimi për punën ligjore dhe etike do ta kryejnë si punë shtesë.

“Për Republikën e Maqedonisë së Veriut në Raportin e fundit të GREKO-s dolën 23 rekomandime. Një nga rekomandimet themelore dhe kryesore është Qeveria në afat sa më të shpejtë të emërojë person, të ashtuquajtur këshilltar për integritet i cili në çdo kohë do të jetë në disponim të japë këshilla etike, këshilla për integritet, por edhe këshilla të tjera nga aspekti i sjelljes etike të anëtarëve të Qeverisë”, tha Georgiev, duke shtuar se persona të tillë do të emërohen edhe në të gjitha institucionet e tjera shtetërore, të cilët do t’u japin këshilla drejtorëve për kryerjen e obligimeve të tyre me qëllim që ta ruajnë integritetin dhe të parandalohet konflikti i interesit.

Personi për integritet, shtoi Georgiev, duhet të përmbushë kritere të caktuara në mënyrë që të mund t’u ndajë këshilla anëtarëve të Qeverisë, të jetë i trajnuar në mënyrë adekuate dhe vetë të jetë person me integritet.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, Georgiev deklaroi se sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski do të jetë një ndër personat që do t’i këshillojë ai që është i angazhuar për integritet të funksionarëve, duke shtuar se ai person do t’i këshillojë në Qeveri, përfshirë edhe kryeministrin.

Lidhur me Rashkovskin, siç u cek në brifingun e sotëm me gazetarë në KSHPK, Komisioni ka lëndë të hapur pas zërave nga mediumet dhe është në fazë të grumbullimit të të dhënave. KSHPK i ka dërguar kërkesë M-NAV të ketë qasje në dokumentacionin e tenderimit, ndërsa kërkesa i është drejtuar edhe Qeverisë në formë të shkruar, të arsyetojë në cilën cilësi sekretari i përgjithshëm ka qenë i kyçur në ndërmjetësimin për marrëveshjen e tenderit.

Në fund të brifingut KSHPK iu drejtua kryeministrit Zaev që në afat sa më të shkurtë të përcaktojë ministër të Financave. Deri atëherë ai vetëm mund ta mbikëqyrë procesin e punës në Ministri, ndërsa punën atje do ta koordinojë zëvendësministrja aktuale.(koha.mk)

Marketing