Gërçev e quan VMRO-në organizatë terroriste

Menjëherë pas deklarimit të sotëm të Mickoskit, shpërthyen reagimet. Profesori Gërçev tha se qytetarët nuk duhet të mbahen peng nga interesat politike të VMRO DPMNE-së. Kësaj të fundit i propozon të bëjë reforma të brendshme rrënjësore, që të mos të kondicionojë ardhmërinë e shtetit dhe fatin e qytetarëve, për t’i mbrojtur funksionarët e tyre të përfshirë në procese gjyqësore.

Marketing

“Megjithatë, ky supozim është thellësisht i gabueshëm, andaj VMRO në fakt është organizatë terroriste, e cila ka bazë ideologjike e fashiste. Asnjëherë nuk ka qenë për integrimet, në të cilat do të humbasë kontrollin e tyre në territorin që e kontrollojnë si grup mafioz”, u shpreh Mirosllav Gërçev, Profesor Universitar.

Profesori universitar Mirosllav Gërçev propozon që të gjitha partitë politike që janë pro zbatimit të Marrëveshjes së Prespës të formojnë një koalicion parazgjedhor, nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Duhet të jetë një koalicion parazgjedhor ku do të tejkaloheshin të gjitha çështjet partiake, personale, etnike, fetare të gjitha diversitetet duhet të shkrihen duke homogjenizuar një koalicion në bazë të pyetjes së referendumit”, tha Mirosllav Gërçev, Profesor Universitar.

Ndërkaq, sinjalet nga lidershipi i BE-së për kryeministrin Zaev janë që ndryshimet kushtetuese duhet të arrihen me këtë përbërje parlamentare, duke arritur 2/3 e votave në Kuvend. Eurokomisari për zgjerim Johanes Han ditë më parë deklaroi se nuk nevojiten zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoni.

“Zgjedhjet e reja do të jenë stërzgjatje e rrugës drejt fillimit të negociatave për qasjen e IRJM-së në BE, e planifikuar në verë vitin e ardhshëm”, u shpreh Johanes Han, Euro komisari për zgjerim.

Ndërsa, lidhur me koalicionin e mundshëm mes partive që janë pro integrimit në NATO dhe BE, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët dje u shprehën kategorikisht kundër koalicionimit parazgjedhor me LSDM-në. Kjo për shkak se sipas tyre, çdo koalicionim me LSDM-në pa u rrumbullakësuar të drejtat kushtetuese të shqiptarëve si popull i barabartë në Maqedoni, do të ishte në dëm të interesit të shqiptarëve.

Marketing