Giuntoli nxjerr mësime nga Todibo, gati sulmi final për Nico Gonzales

Dështimi për të sjellë në Torino mbrojtësin francez Todibo, ka lënë jo pak të zhgënjyer drejtorin sportiv të Juventusit, Christian Giuntoli, i cili aktualisht po nxiton për të transferuar sulmuesin anësor argjentinas Nico Gonzales.

Marketing

Ky i fundit ndiqet prej kohësh nga bardhezinjtë dhe tani Giuntoli po përgatitet për sulmin final, në mënyrë që të mos përballet me ndonjë tjetër surprizë të pakëndshme, ashtu si në rastin e Todibo, të cilin e rrëmbeu West Ham me një ofertë shumë më të lartë.

Fiorentina kërkon 30 milionë euro për kartonin e Gonzales, shifër të cilën do ta investojë për të marrë Gudmundsson nga Genoa, ndërsa Juventusi është gati të ofrojë 15-20 milionë euro, plus kartonin e mesfushorit amerikan Weston McKennie, i cili nuk bën pjesë në planet e Mottës.

Negociatat po zhvillohen në mënyrë intensive dhe gjasat janë që Nico Gonzales të vishet bardhezi para ndeshjes së javës së parë të kampionatit ndaj Comos. Pikërisht për këtë arsye, Fiorentina nuk e ka grumbulluar sulmuesin argjentinas për miqësoren ndaj Freiburgut.

Krahas Gonzales, Giuntoli po punon për të sjellë në Torino edhe mesfushorin holandez Teun Koopmeiners, për të cilin duhet ende të arrihet një marrëveshje me Atalantën, por edhe mbrojtësin Sutalo nga Ajaxi, i cili është emri i përzgjedhur pas dështimit me Todibo.